Ekstradimi i Fjolla Morinës/ Drejtësia e Kosovës s`i bindet Shqipërisë, kërkon informacion

Kosova

Ekstradimi i Fjolla Morinës/ Drejtësia e Kosovës s`i bindet Shqipërisë, kërkon informacion

Më: 15 shtator 2021 Në ora: 11:41
Fjolla Morina

Ekstradimi në Shqipëri i këngëtares nga Kosova, Fjolla Morina, është futur në një procedurë burokratike pasi autoritet e Prishtinës kërkojnë informacion në prokurorinë e Kukësit, për gjendjen ku ndodhet dosja e saj në Shqipëri.

Në fillim të këtij muaji, prokuroria e Prishtinës mësohet se ka kërkuar informacion nëse vendimi i dënimit të Fjolla Morinës, ka marrë formë të prerë apo jo.

Drejtësia Kosovare pretendon se nuk mund të ekstradojë, Fjolla Morinën, për sa kohë këngëtarja Morina, nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

Çështja e Fjolla Morinës, e cila u dënua nga Gjykata e Kukësit në muajin Mars 2021 me gjashtë vite burgim për akuzën e “Trafikut të armëve dhe Municioneve”, ndodhet në pritje për t'u gjykuar në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

“Ora News”, mëson se në kthim-përgjigjen që prokuroria e Kukësit i ka çuar gjykatës së Prishtinës, kërkohet ekstradimi i Fjolla Morinës, jo për pjesën e dënimit të saj, por për masën e sigurisë “arrest me burg” të vendosur në mungesë nga gjykata e Kukësit në datën 1 mars 2021 pas arratisjes së këngëtares nga banesa ku ishte lënë në arrest shtëpie.

Për shkak të kësaj mase sigurimi, Fjolla Morina, është shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe në muajin Korrik 2021, policia e Kosovës e arrestoi në ambientet e një lokali në Prishtinë.

Duke shfrytëzuar këtë masë sigurimi me burg, të marrë për akuzën e “Trafikut të armëve dhe municioneve” dhe “Largimit nga vendi i qëndrimit të caktuar nga gjykata”, prokuroria e Kukësit ka këmbëngulur në ekstradimin e Morinës në Shqipëri.

Pritet që në ditët në vijim gjykata e Prishtinës të dalë me një vendim përfundimtar për ekstradimin ose jo të Fjolla Morinës, në Shqipëri.

Vitin e kaluar, në pikën kufitare të Morinës në Kukës, Morina u kap me dy armë në makinën e saj teksa ishte e shoqëruar nga dy persona.

Këngëtarja qëndroi në “arrest shtëpiak” në Kukës për disa javë, dhe më pas u arratis.

Morina u dënua në mungesë më 25 mars nga Gjykata e Kukësit me 9 vite burgim, që pas zbritjes së 1/3, prej gjykimit të shkurtuar dënimi u reduktua përfundimisht në 6 vjet heqje lirie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat