​“Me dënime të ulëta po nxitet dhuna”, kërkohet ashpërsim i ndëshkimeve për dhunuesit

Kosova

​“Me dënime të ulëta po nxitet dhuna”, kërkohet ashpërsim i ndëshkimeve për dhunuesit

Më: 26 tetor 2021 Në ora: 15:54
Prokuroria Themelore, Pejë

Rasti i dënimit prej 8 muajsh për përdhunuesin e një të miture në Pejë, pasuar nga një tjetër akt dhune në një market në Prishtinë kanë shërbyer si kambana alarmi për të tërhequr edhe një herë vëmendjen ndaj fenomenit të dhunës ndaj femrave. Shoqëria civile druan se sistemi gjyqësor i Kosovës me shqiptimin e dënimeve të ulëta ndaj dhunuesve po i stimulon ata të vazhdojnë të ushtrojnë dhunë dhe në anën tjetër dekurajon viktimat që të raportojnë rastet.

Të njëjtit kërkojnë ashpërsim të masave ndëshkimore për këto dukuri në rritje në vendin tonë.

Gëzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se trupi gjykues ka aplikuar gabimisht dispozitat për rrethanat, posaçërisht lehtësuese.

Shala shprehet se një masë e tillë ndëshkimore e cila është shumë më e ulët se dënimi minimal që duhet të shqiptohet për këtë vepër penale injorojnë pasojat që mund të krijohen në shoqëri.

Shala: Personi në fjalë është liruar nga akuza nuk do mbaj asnjë ditë burgim

“Gjykata ka aplikuar gabimisht dispozitat për rrethanat, posaçërisht lehtësuese. Në rastin konkret përkundër faktit që janë paraqitur një numër i rrethanave rënduese gjykata në aktgjykim thotë se rrethana rënduese nuk ka gjetur, dhe në anën tjetër edhe sikur të gjitha rrethanat të ishin lehtësuese dhe të ishin posaçërisht lehtësuese gjykata në rastin konkret nuk ka pasur mundësi ligjërisht nuk po flas në kuptim të vlerësimit, por ligjërisht nuk ka pasur mundësi që të shqiptojë dënim më të ulët se sa 1 vit burgim, duke shqiptuar një dënim prej 8 muaj e 8 ditë burgim. Nëse e shohim dënimin e shqiptuar 8 muaj e 8 ditë ky dënim korrespondon me kohën në vitin 2012 ka mbajtur paraburgim dhe ajo kohë do i llogaritet në dënim. Që i bie që praktikisht ky person është liruar nga akuza dhe nuk do mbaj asnjë ditë dënim kur shohim aktgjykime të tilla të cila injorojnë tërësisht pasojat e krijuara dhe rrezikun që shoqërisë i kanoset nga një dukuri e caktuar kriminale është problematike në kuptim të politikës ndëshkimore”, theksoi ai.

Shala po ashtu tha se dënimet e tilla krahas stimulimit të këtyre dukurive, dekurajon viktimat për të raportuar çfarëdo lloj dhune që ushtrohet ndaj tyre.

Tashmë kur kanë nisur thirrjet për shkarkimin e gjyqtares së këtij rasti, Florje Zatriqi, Shala nga IKD thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovë duhet të shqiptojë masa ndaj kësaj gjyqtareje pasi ka rrezikuar edhe besimin e qytetarëve karshi sistemit gjyqësor në vend.

Shala: Dënimet e ulëta stimulojnë dhunën

“Dënimet e ulëta paraqesin stimulim për arsye se nuk paraqesin frikë ligjore tek secili person tjetër eventual dhe krahas preventivës individuale është edhe preventiva gjenerale që synon që përmes dënimeve të vetëdijesohet edhe shoqëria se duhet të përmbahet nga kryerja e këtyre veprave penale dhe nëse ndodh e kundërta dhe nuk arrihet qëllimi definitivisht vetë dënimi do shërbejnë si stimulim sepse secili person do llogarisë edhe koston e veprimit të tij... Kërkesa nuk duhet të jetë që dënimet të jenë vetëm të ashpra por kërkesa duhet të jetë që dënimet të jenë konstruktive dhe të matshme në kuptim të rrethanave lehtësuese dhe rënduese… Në rastet e kësaj natyre kur kemi pasoja kaq të mëdha dhe në njëfarë forme cenohet besimi i publikut në sistemin gjyqësor, definitivisht që gjyqtarja do të duhej të mbaj përgjegjëse nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe nga ana tjetër të shqiptojë masë disiplinore për dy çështje në një të mos përsëriteshin raste të ngjashme nga ana e gjykatave dhe po ashtu të kthehet besimi i publikuar në gjyqësor”, vijoi Shala.

Në anën tjetër, Behxhet Shala nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka kërkuar për ashpërsim të masave ndëshkimore për dukuritë e dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë.

Shala deklaroi për KosovaPress se dënimet e ulëta karshi atyre që shkaktojnë dhunë fizike, psikike dhe seksuale ndaj grave dhe vajzave nuk ndihmon në parandalimin e rasteve por vetëm inkurajon dhunuesit e mundshëm.

Shala: Si KMDLNj kërkojmë ashpërsim të masave ndëshkimore

“Ne si KMDLNJ e gjykojmë çdo dhunë kudo që ushtrohet në veçanti në rastet kur viktima janë femrat sepse ky trend është në rritje sidomos edhe para dhe gjatë pandemisë dhe ne nuk e arsyetojmë asnjë lloj dhune, ne kërkojmë nga organet e hetuesisë që të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe nga gjykatat të shqiptojnë dënime në përputhje me provat... Në rast se një dukuri negative dhe është trend në rritje si dhuna ndaj femrës atëherë shteti duhet të nisë reformë në sistemin gjyqësor, të stimulojë qoftë edhe përkohësisht ashpërsimin e masave ndëshkuese ndaj dhunuesve në mënyrë që të parandalojë këtë trend. Tash dënimet nuk janë gjithherë në përputhje me pritjet e dënimit, kur flasim për rastin e Pejës flasim për një të mitur 15-vjeçare e dhunuar dhe një dënim 8 muajsh që thjesht është një shpërputhje e madhe në mes të veprës së kryer dhe dënimit të shqiptuar i cili jo që ndihmon në parandalimin e rasteve të ngjashme është më tepër inkurajues për dhunuesit e mundshëm se sa që është një dënim meritor për dhunën e ushtruar ndaj femrës”, theksoi Shala.

Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës deklaroi dënimin prej 8 muajsh e 8 ditësh për dhunuesin e 15-vjeçares e përshkruan më së miri situatën se si trajtohen gratë në Kosovë. Sipas saj viktimat e dhunës në Kosovë kanë mbetur pa përkrahjen e institucioneve.

Rrjeti i Grave të Kosovës krahas masave disiplinore pret edhe shkarkimin e gjyqtares Florije Zatriqi.

Berisha: Sistemi i drejtësisë nuk po është i drejtë ndaj rasteve ku viktimat janë gratë

“Kjo na tregon se fatkeqësisht sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk po është i drejtë ndaj rasteve kur viktima janë gra dhe vajzat, dënimi me vetëm 8 muaj efektiv dhe ai nuk do e ketë asnjë ditë dënim pasi para 10 viteve i kishte kaluar në paraburgim këta 8 muaj është një dënim minimal, është në fakt tragjik karshi veprës së shkaktuar kësaj të miture. Veçanërisht që është dashur 10 vite që ky rast të merret dhe të trajtohet nga gjyqësia dhe të trajtohet në mënyrën më të gabuar të mundshme. Kjo ka qenë një ritramuatizim dhe riviktimizim i vajzës në këtë rast... I tërë sistemi i drejtësisë është munduar të gjejë masa lehtësuese për dhunuesin ndërsa nuk është marrë asnjë masë rënduese fakti që kjo ka qenë e mitur, fakti që është bërë me dëshirë nga tre persona ka qenë krim i organizuar... Në Kosovë nëse ju jeni dhunues i grave dhe vajzave nuk do merrni asnjë dënim për veprat e juaj, pra mesazhi po jepet që gratë të vetëmbrohen se institucionet nuk i mbrojnë dhe që ushtruesit e dhunës potencial të vazhdojnë të ushtrojnë dhunën sepse nuk ka asnjë dënim për ta”, theksoi Berisha.

Dy muaj më parë gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Pejë, Florije Zatriqi ka dënuar një person të akuzuar për dhunim të një 15-vjeçeje me vetëm 8 muaj e 8 ditë burgim, ndonëse sipas Ligjit dënimi i paraparë në këso raste, parashihet të jetë nga 5 deri në 20 vite burgim. Gjyqtarja Zatriqi nuk ka arritur ta gjejë asnjë rrethanë rënduese kundër të akuzuarit, përderisa në favor të tij i ka gjetur 10 rrethana lehtësuese ndër të cilat edhe rrethanën se viktima gjatë dhunimit nuk kishte pësuar lëndime.

Ndërsa, gjatë ditës së sotme kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i ka kërkuar Prokurorisë Themelore ta rishqyrtojë rastin e dhunimit të 15-vjeçares, për të cilin një person i dyshuar është dënuar me 8 muaj e 8 ditë burgim.

Ndaj këtij dënimi dje ka reaguar edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu e cila u shpreh se këto vendime janë absurde dhe janë vetëm nxitëse për dhunuesit për të kryer përsëri këso krimesh.

E opinioni i Kosovës dje u trondit edhe me pamjen ku një burrë e rrah një grua në një market në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat