Berisha i AAK-së premton 650 vende pune bashkë me bizneset e kësaj komune

Kosova

Berisha i AAK-së premton 650 vende pune bashkë me bizneset e kësaj komune

Më: 6 nëntor 2021 Në ora: 00:16
Bekë Berisha dhe Xhevdert Pozhari

Kandidati i AAK-së për kryetar të Istogut, Bekë Berisha, deklaroi se programi i tij përfshin zgjidhje për të gjitha hallet dhe brengat e qytetarëve.

Gjatë emisionit Edicioni Special, ai premtoi se qytetarëve do t’u mundësohet komunikimi direkt me kryetarin, do të praktikojnë vlera më të larta të vendimmarrjes së qytetarëve, bashkëqeverisje me qytetarët, përfshirjen e tyre në komisione komunale, rekrutime të hapura e transparencë publike me pjesëmarrje të qytetarëve të Istogut.

Ai po ashtu deklaroi se i ka të garantuara 650 vende të punës bashkë me bizneset e Istogut.

“Kam komunikuar me shumë biznese në komunë e Istogut. Në bashkëveprim me ta do të sigurojmë vende të punës”, shtoi ai.

Po ashtu, në vazhdën e programit qeverisës, Berisha dha edhe premtime tjera.

“Shërbime në distancë për qytetarët në mërgim, përkrahjen e bujqve dhe blegtorëve, për ujitje e pyllëzim i kemi te gjitha, infrastruktura që ka mbetur duhet të përfundojë, e kemi edhe një projekt “smart city”, shëndetësi me kualitetin e jetës për qytetarin. E kam një plan për arsimin i punuar në detaje dhe mendoj që do të jemi komunë shembull në Kosovë duke e zbatuar këtë program”.

Përveç kësaj, Berisha tha se për 18 muaj do të garantojë ujë të pijshëm, po ashtu mbledhjen e krojeve për të siguruar ujë për qytetarët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat