Dy të lënduar e disa vetura të dëmtuara si pasojë e festimit me armë

Kosova

Dy të lënduar e disa vetura të dëmtuara si pasojë e festimit me armë

Më: 2 janar 2022 Në ora: 09:34
Foto ilustrim

Festimi me armë gjatë natës së Vitit të Ri është përcjellë me pasoja.

Siç ka njoftuar Policia e Kosovës nga plumbat janë lënduar dy persona, ndërsa janë dëmtuar edhe disa vetura.

Një person në Podujevë ka njoftuar se gjersa ishte në terrasën e shtëpisë është goditur nga një plumb qorr. Ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 1:20. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe është dërguar për tretman mjekësor.

Ndërkohë në Gjilan një burrë është dërguar në emergjencë të Spitalit pasi ishte vetëplagosur me armë në dorën e majtë.

“Gjilan 01.01.2022 – 15:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar ishte dërguar në emergjencën e spitalit për shkak se ishte vetë plagosë në shuplakën e dorës së majtë me një armë zjarri . Njësiti policor në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri formë stilolapsi dhe predhën e fishekut që mjekët ia kishin hequr të dyshuarit nga dora. Në konsultim me prokurorin i dyshuari është liruar, ndërsa lënda e rastit do të hetohet në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkohë në një rast tjetër në Prishtinë, një person ka njoftuar se të birit të tij të mitur i është dëmtuar xhaketa nga një plumb qorr më 1 janar, ndërsa është raportuar për katër raste të dëmtimit të veturave nga plumbat qorr, e po ashtu edhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Vasfije Krasniqi, ka njoftuar se një plumb qorr gatisa nuk e kishte goditur. Kishte përfunduar në apartamentin e saj.

E Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të shtunën në Lipjan është ndaluar një i mitur pasi ka shtënë me armë, ndërsa po ashtu në Drenas një personi i është konfiskuar një pushkë gjuetie, pasi ai kishte shtënë gjatë festës së Vitit të Ri me të dhe e kishte postuar në Facebook. Po ashtu një rast i ngjashëm kishte ndodhur në Lipjan ku një personi i është konfiskuar një pistoletë pasi kishte shtënë me të gjatë festës së Vitit të Ri dhe e kishte postuar videon në Facebook. Ndaj tyre është iniciuar rast i armëmbajtjes pa leje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat