Osmani: Kosova është më keq se çdo vend tjetër në përfshirjen e grave në fuqinë punëtore

Kosova

Osmani: Kosova është më keq se çdo vend tjetër në përfshirjen e grave në fuqinë punëtore

Më: 11 mars 2022 Në ora: 22:34
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se të punohet për fuqizimin ekonomik të grave nuk është vetëm gjëja më e drejtë për ta bërë, por edhe më e mençur, për zhvillimin ekonomik të vendit.

“E kemi mësuar edhe nga vendet e tjera, të cilat kanë arritur të tejkalojnë problemin me papunësinë ose problemet edhe sfidat e tjera, me të cilat janë ballafaquar në zhvillimin e tyre ekonomik në momentin kur kanë arritur që në fuqinë e tyre punëtore aktive t’i përfshijnë edhe gratë. Pa ndodhur një gjë e tillë shtetet e ndryshme humbasin shumë në ekonominë e tyre. Në nivel të botës ka shtete, të cilat një pjesë të madhe të potencialit të tyre ekonomik e humbin pikërisht për shkak se nuk shfrytëzojnë potencialin ekonomik që e kanë gratë. Edhe Kosova bie në këtë grup të vendeve të botës duke pasur parasysh se është më keq se çdo vend tjetër në rajon sa i përket përfshirjes së grave në fuqinë punëtore. Madje, jemi njëjtë sikur vendet që janë në kohë lufte dhe kjo është e pafalshme”.

Ajo, në emisionin “7 ditë me Panxhën”, ka thënë se akoma ka shumë fusha, në të cilat gratë nuk trajtohen në mënyrë të barabartë me burrat.

Osmani insiston se të gjitha institucionet duhet të punojnë shumë më shumë për të fuqizuar gratë ekonomikisht, sepse, sipas saj, zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm arrihet veç kur gratë dhe burrat kanë qasje të barabartë.

“Natyrisht se ka masa të cilat janë ndërmarrë përgjatë viteve, të cilat shumë pak e kanë përmirësuar këtë situatë, megjithatë akoma përfshirja në fuqinë punëtore, ashtu edhe trashëgimia e pronës nga ana e grave dhe shumë raste të tjera si qasja në drejtësi, financa dhe trajtimi i tyre i barabartë në sektorë të ndryshëm janë problematika, të cilat vazhdojnë, prandaj duhet qasje ndërsektoriale, ku të gjitha institucionet janë të përfshira, në mënyrë që sa i përket fuqizimit ekonomik të grave dhe qasjes në drejtësi të punohet shumë më shumë, sepse nga kjo nuk përfitojnë vetëm gratë, qoftë individualisht apo kolektivisht, por përfiton i gjithë shteti sepse zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm është i mundur vetëm kur të dyja gjinitë kanë qasje të barabartë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat