Sot mbahet greva paralajmëruese 1 orëshe në të gjithë vendin

Kosova

Sot mbahet greva paralajmëruese 1 orëshe në të gjithë vendin

Më: 12 maj 2022 Në ora: 06:01
Ilustrim

Nën organizimin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK sot në orën e parë të punës do të mbahet në nivel vendi Greva paralajmëruese 1 orëshe e të gjithë të punësuarve në të gjitha Institucionet e Republikës së Kosovës.

BSPK ka thënë se edhe përkundër të gjitha përpjekjeve për Dialogun e duhur midis Partnerëve Socialë dhe pa dëshirë po edhe në pamundësi të mos hyhet në grevë vendosi përfundimisht që Greva në nivel vendi të mbahet sot.

BSPK thekson se pret që Dialogu Social midis Partnerëve Socialë të jetë dialog i sinqertë dhe parimor pa premtime po me veprime të duhura dhe drejt përmbushjes së kërkesave të arsyeshme të të punësuarve sindikalistë në nivel vendi.

BSPK thekson me tutje se nuk do dhe nuk dëshiron që mjetin e fundit të pakënaqësisë sindikaliste – Grevën ta përdorë kurdo dhe të parën, po kur zëri i arsyes nuk hap rrugën e duhur në të mirë të veprimeve të duhura që do të krijonin parakushtet dhe kushtet e duhura të qetësisë dhe të mirëqenies shoqërore-ekonomike atëherë nuk i mbetet tjetër veçse hyrja në Grevë.

BSPK vendosi për Grevë Paralajmëruese 1-Orëshe dhe pret e mirëpret veprimet e duhura reflektuese të Partnerit Social – Qeverisë së cilës i mbetet barra për ndaljen e punës dhe futjen në grevë të atyre që e kanë ndërtuar dhe po ndërtojnë Republikën e Kosovës e të cilët ditë e natë derdhin djersën anë e kënd vendit tonë.

Greva Paralajmëruese 1 orëshe ka këshillat e saj organizues të cilat do të përkujdesen që të mos prishet dhënia e shërbimeve qenësore për Qytetarët.

Por sipas BSPK-së nëse nuk veprohet dhe ofrohet Dialogu i duhur social nga Partneri Social – Qeveria atëherë më 20 maj do të mbahet Protesta gjithëpërfshirëse e cila i paraprinë Grevës së plotë në nivel Vendi. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat