​Nesër organizohet vizitë në shtëpinë-Muze të Ukshin Hotit

Kosova

​Nesër organizohet vizitë në shtëpinë-Muze të Ukshin Hotit

Më: 15 maj 2022 Në ora: 09:45
Foto ilustrim

Komuna e Rahovecit ka njoftuar se me rastin e 23-vjetorit të zhdukjes së profesorit, politologut dhe luftëtarit të paepur të çështjes kombëtare, Ukshin Hoti, do të bëhet një vizitë në Shtëpinë – Muze të Ukshin Hotit, në Krushë të Madhe. 

Komuna ka ftuar veprimtarët e çështjes kombëtare, përfaqësuesit e pushtetit lokal e qendror në këtë vizitë e cila do të zhvillohet të hënën më 16 maj, duke filluar nga ora 11:00. 

Më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti. 

Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999. 

Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar. 

Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Milosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg. 

Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë. 

Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat