​OVL e UÇK-së: Gjykata Speciale sot dënoi njerëz të pafajshëm

Kosova

​OVL e UÇK-së: Gjykata Speciale sot dënoi njerëz të pafajshëm

Më: 18 maj 2022 Në ora: 13:16
Anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës konsiderojnë se ish-krerët e tyre Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj janë të pafajshëm. Ata vazhdojnë ta kundërshtojnë Gjykatën Speciale pasi mendojnë se e njëjta duhet t’i ndjekë krimet serbe të kryera gjatë luftës në Kosovës.

Pas shqiptimit të dënimit nga Dhomat të Specializuara në Hagë, e cila dënoi Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn me nga 4.5 vjet burg, ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL të UÇK-së Faton Klinaku, duke e konsideruar Gjykatën Speciale si gjykatë politike, tha se gjyqtari i cili e shpalli sot aktgjykimin, ka qenë ai i cili kishte kërkuar që në rastin “Kleçka” të dënohej Fatmir Limaj, pati apo nuk pati fakte.

Ai u shpreh se me të gjitha mundësitë e tyre do ta pengojnë funksionimit e Speciales.

Klinaku: Do ta pengojmë funksionimin e Gjykatës Speciale

“Unë pres nga kjo prokurori, që është e skandaleve, të më sjellë edhe CD siç i kemi quajtur pjata fluturuese dhe nëse i sjellin, unë prapë do t’i paraqes në media, sepse këtë gjykatë speciale ne as nuk e kemi njohur as nuk e njohim. Me të gjitha mundësitë tona ne do ta pengojmë funksionimin e saj, sepse krimet e luftës nuk i ndjek, por i ndjek shqiptarët. Po t’i ndiqte krimet e luftës, do të duhej të ndiqeshin krimet dhe masakrat që i ka shkaktuar Serbia pushtuese në Kosovë. Është fatkeqësi që deputetët e Kuvendit të Kosovës miratojnë gjykatë politike, është fatkeqësi që deputetët edhe tash që janë në Kuvendin e Kosovës nuk marrin masa kundër kësaj pseudo-gjykate sepse është gjykatë që jep vendime politike. Cilët persona zyrtarë i kanë kërcënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj? Nëse dikush i ka kërcënuar, jam unë ai që i kam kërcënuar më shumë. Dhe çfarë persona i kanë penguar këta dhe çfarë dëshmitarë kanë zbuluar këta që thonë që 100 persona. Të gjitha ato që ne i kemi bërë, i kemi paraqitur para mediave. Dokumentacionet që kanë ardhur nga zyrat në Hagë dhe ka qenë detyrë e mediave që t’i publikojnë ato, qoftë për t’i fshehur personat apo emrat e atyre dëshmitarëve, por është në rolin apo redaktimin që e bëjnë mediat se si i bëjnë ato publike”, tha ai.

Klinaku tha se do të dakordohen dhe nëse do të organizojnë protesta ato do të jenë kundër Kuvendit të Kosovës, i cili nuk ka bërë asgjë në kundërshtim të Gjykatës Speciale apo edhe ndjekjen e krimeve të luftës në Kosovë.

Klinaku: Protesta nëse do të bëjmë do të jenë kundër Kuvendit të Kosovës

“Tash unë pres që të komunikoj me shokët, protesta nëse do të bëjmë, ato do të jenë edhe atje, por edhe kundër Kuvendit të Kosovës... Edhe ne fillim ato më kanë thënë që mos të protestojnë për shkak të këtyre shantazhuesve, gjyqtarët politikë kanë thënë që po pengohet drejtësia... Edhe ata dëshmitarë rastësisht është përmendur një emër, janë kriminelët serbë, policët serbë që ata kanë dhënë dëshmi dhe të gjitha dokumentacionet janë të Serbisë pushtuese, por edhe një dëshmitar që është përmendur, vetë e ka pranuar që është dëshmitar i Speciales”, theksoi ai.

Anëtari i Këshillit Drejtues të OVL-UÇK-së, Pren Marashi u shpreh se thelbi kryesor i këtij gjykimi ishte mbrojtja e dëshmitarëve atë që nuk ka arritur ta bëjë vetë Prokuroria Speciale.

Sipas tij në këtë rast do të duhej të bëheshin publike edhe burimet e rrjedhës së këtyre informacioneve dhe duke e mos bërë këtë po dënojnë njerëz të pafajshëm.

Marashi: Gjykata Speciale dënoi njerëz të pafajshëm

“E thamë edhe më parë që fillimisht ky gjyq nuk është duhur të mbahet fare, sepse edhe në seancën e sotme është dëshmuar që gjykatë për të mbuluar dështimin e mbrojtjes së dëshmitarëve, dështimin e prokurorisë publike shpall dënime. Thelbi i këtij gjyqi është mbrojtja e dëshmitarëve, atë gjë nuk e ka bërë Gjykata Speciale, ne nuk kemi pas mundësi të bëjmë zbulimin e këtyre dosjeve as emrat e këtyre dëshmitarëve. Këtë e ka bërë prokuroria publike dhe dhomat e veçanta jo Organizata e Veteranëve... Në këtë rast gjykata është duhur të publikojë kush është burimi i informacionit, këtë nuk e kanë bërë, pastaj dënohen njerëzit pa faj. Edhe heshtja e organeve të drejtësisë shihet që është një proces i montuar sepse kanë dalë emrat nga gjykata, jo nga Organizata e Veteranëve”, theksoi ai.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari duke i quajtur Dhomat e Specializuara gjykatë raciste, u shpreh se rrjedhja e informacioneve ka ndodhur për të bërë spektakël. Ai kërkoi nga institucionet në vend që të mos rrinë duarkryq karshi kësaj gjykate.

Jashari: Specialja, gjykatë raciste

“Sot me të vërtetë është faktuar në qëndrimet tona që është një gjykatë raciste. Nuk ndihem keq nëse i them edhe fashiste, sepse pretendimet e saj sot u dëshmuan që punon, vepron me sugjerime politike nga ish-okupatori ynë, Serbia. Sot u faktua me këtë vendim se rrjedhja e informacioneve për të bërë spektakël gjatë gjithë vlerës së luftës së UÇK-së është kjo prokurori dhe pavarësisht të gjitha rrjedhave dhe kësaj që po ndodh padrejtësisht ndaj luftës së drejtë dhe të pastër të UÇK-së, ne jemi të vendosur në të drejtën tonë që liria për të ardhur deri këtu është dashur sakrificë, por mendoj që institucionet e Kosovës duhet të mendojmë seriozisht duhet të mësojnë dhe ta dinë se për të ardhur deri këtu dhe për tu uluar në ato karrige që janë ulur sot tre përfaqësuesit e Kosovës duhet ta dinë rrugën se si kemi ardhur deri këtu ...Dhe nëse këtyre institucioneve iu ka mbetur sado pak moral, profesionalizëm, atdhetarizëm dhe kombëtarizim, mendoj se nuk duhet të rrinë duarkryq”, u shpreh ai.

Ish-drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj nga Dhomat e Specializuara në Hagë janë dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim nga Gjykata Speciale, për publikimin e dokumenteve të Speciales. Në dënim llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat