​Rahoveci nderon të rënët për liri, Serbisë i kërkohet hapja e arkivave

Kosova

​Rahoveci nderon të rënët për liri, Serbisë i kërkohet hapja e arkivave

Më: 30 mars 2023 Në ora: 13:21
Foto nga vendngjarja

Në 24-vjetorin e të rënëve për liri në fshatin Reti të Komunës së Rahovecit janë bërë homazhe pranë përmendores dhe varreve të tyre. Me këtë rast u tha se dëshmorët Ramadan Mazreku, Bujar e Avni Thaqi si dhe 17 martirët nuk do të vdesin kurrë. 

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se sot po nderojnë ata që kanë përjetësuar idealin e lartë të lirisë.

Ai u shpreh se Retia edhe pse fshat i vogël, ka luajtur një rol të madh në luftën çlirimtare të UÇK-së. Derisa theksoi se qytetarët e saj meritojnë përkrahje më të madhe institucionale.

Latifi: Retia ka dhënë shumë për luftën dhe lirinë e atdheut

“Retia ka dhënë shumë në luftën për liri, por janë disa familje që po ashtu kanë dhënë shumë sepse kanë dhënë gjak nga gjaku i tyre për lirinë e atdheut. Ne sot i përkujtojmë me nderim dhe respekt të lartë tre dëshmorët Ramadan Mazrekun, Bujar Thaqin dhe Avni Thaqin, sikurse njëkohësisht përkujtojmë dhe nderojmë gjakun e derdhur për liri të 17 martirëve, dy prej të cilëve janë ende të pagjetur. Retia ka qenë vatër e qëndresës dhe përpjekjeve të luftës për liri, ka qenë selia e Brigadës 124 ‘Gani Paçarizi’, e cila pas ofensivës së shtatorit këtu është riorganizuar, sikurse që ka qenë vatër e riorganizimit të Brigadës 126 ‘Hasi’ dhe 125 brigadës nga Prizreni. Retia dhe qytetarët e saj meritojnë përkrahje shumë më të madhe nga ana e Komunës dhe institucioneve shtetërore... Nuk do ta harrojmë kurrë atë që ka bërë Retia, përpjekjen e madhe për liri”, tha ai.

Ai tha se është koha e fundit që Serbia t’i hap arkivat, në mënyrë që të zbardhet fati i të pagjeturve.

Latifi: Është koha e fundit që Serbia të hap arkivat

“Është koha e fundit që Serbia të detyrohet ta zbardhë fatin e të pagjeturve, t’i hap arkivat dhe të zbardhë fatin e të zhdukurve me dhunë”, tha ai.

Kryetari i fshatit Reti, Ilir Kryeziu, duke kujtuar veprën dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve tha se do të jetojnë me idealin e tyre për ta bërë Kosovën vendin që ata e kanë dëshiruar.

Kryeziu: Do të jetojmë me idealin e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës

“Jemi mbledhur për të ndarë dhembjen dhe krenarinë për më të dashurit tanë. Për këtë shtet u derdh shumë liri dhe gjak, kemi paguar me jetën e më të dashurve tanë, duke humbur bijtë dhe bijat, gra, burra, pleq e fëmijë. Por të flijohesh për atdhe do të thotë të mos vdesësh kurrë. Me idealin e tyre ne do të jetojmë për të bërë Kosovën ashtu siç e dëshiruan ata”, tha ai.

E vëllai i dy dëshmorëve Bujar dhe Avni Thaqi, Safeti, kujtoi momentet se si paramilitarët serbë i kishin ndarë nga gratë dhe fëmijët e tyre për t’i pushkatuar.

Thaqi: Serbët i kanë ndarë vëllezërit e mi nga familja dhe i kanë pushatuar

“Familja ime i ka dhënë dy vëllezërit e mi, që janë kidnapuar nga forcat paramilitare serbe, i kanë nda prej familjeve, prej grave dhe fëmijëve, ata i kanë pushkatuar. Bile, ekziston një dëshmitar i gjallë, që na i tregon të dhënat e sakta”, tha ai. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat