“Çka po rrasni këtu”/ Mjeku i spitalit në Ferizaj i bën kahre policët që shkuan të intervenojnë në një rast të dhunës në familje

Kosova

“Çka po rrasni këtu”/ Mjeku i spitalit në Ferizaj i bën kahre policët që shkuan të intervenojnë në një rast të dhunës në familje

Më: 18 prill 2023 Në ora: 22:25
Foto ilustrim

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën.

Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Urgjencën e Spitalit në Ferizaj, ku një mjek dyshohet se ka penguar zyrtarët policorë të cilët kishin shkuar të intervenojnë në një rast të dhunës në familje.

Sinjali mëson se në të njëjtin spital ishin edhe disa persona që ishin përfshirë në një rrahje dhe si rrjedhojë zyrtarët policorë kanë hyrë në dhomën e pranimit për të evituar ndonjë sherr të mundshëm mes palëve të përfshira.

Mirëpo aty kanë hasur në mjekun kujdestar i cili një ditë më parë ishte gjobitur në trafik, gjë e cila e kishte mllefosur tej mase.

Sipas burimeve, mjeku dyshohet se në revoltë e sipër u ka kërkuar policëve që të largojnë veturën zyrtare nga vendi ku e kishin parkuar, teksa u thoshte që meqë ata e kanë gjobitur dje, as ky sot s’do i lërë ta lënë veturën aty.

I njëjti dyshohet se me tone të larta u ka kërkuar Policisë që të largohen nga dhoma duke i pyetur se kush janë ata që të hyjnë aty.

Zyrtarët policorë janë detyruar që të largohen që aty dhe më pas kanë njoftuar edhe njësitë tjera relevante.

Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Pengim i personit zyrtar në kryerje të detyrës zyrtare’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat