Temat e takimit Thaçi e Daçiq

Kosova

Temat e takimit Thaçi e Daçiq

Më: 15 janar 2013 Në ora: 22:59

Televizioni publik i Kosovës (RTK) bën të ditur se ka siguruar pikat me të cilat delegacioni i Kosovës do të paraqitet në takimin e 17 janarit në Bruksel, ndërmjet Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Dacic.
Qeveria e Kosovës në këtë dokument, të cilin ua ka prezantuar edhe partive politike të vendit, zotohet se në këtë dialog në asnjë mënyrë nuk do të diskutohet për statusin e Kosovës, tërësinë territoriale me kufijtë e tanishëm, organizimin e brendshëm që është përcaktuar me planin e Ahtisaarit, ndërsa do të kërkohet fuqishëm zbatimi i plotë i marrëveshjeve të arritura në dialogun teknik.

Në këtë dokument, Qeveria e Kosovës ka shpalosur edhe synimet e saj që dëshiron t`i arrijë nëpërmjet dialogut politik të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e të mbështetura nga SHBA-ja.

Në takimin e 17 janarit, sipas dokumentit të Qeverisë, do të bisedohet për largimin e strukturave serbe të sigurisë nga Veriu i Kosovës; Transformimin e strukturave ekzistuese në veri të vendit në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe çështjeve sociale; Krijimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të lira në komunat veriore; Pjesëmarrjen e qytetarëve të veriut në zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës; Krijimin e Komunës së re të Mitrovicës së Veriut; Regjistrimin e popullsisë atje; Themelimin e fondit për zhvillimin e Veriut të vendit, si dhe arritjen e një marrëveshjeje ndërkombëtarisht obligative për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi e cila do të garantohej prej BE-së SHBA-së dhe shteteve të Quintit.

Në dokumentin e siguruar ndodhen edhe tri pikat kryesore për takimin e dy kryeministrave më 17 janar në Bruksel. Sipas dokumentit, do të diskutohet largimi i Strukturave ilegale të sigurisë së Serbisë nga Kosova; krijimi i një mekanizmi i cili do t`i bëjë transparente fondet e Serbisë për serbët e Kosovës, si dhe do të diskutohet për veprimet konkrete që do t`i ndërmarrë qeveria e Kosovës për vendosjen e rendit dhe ligjit në Veri.

Sipas këtij dokumenti, menjëherë pas shuarjes së strukturave ilegale të sigurisë do të funskionalizohet puna e policisë së Kosovë dhe Gjykatës në veri të vendit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat