Musliu: Nuk zhvendoset përmendorja e UÇPMB-së

Kosova

Musliu: Nuk zhvendoset përmendorja e UÇPMB-së

Më: 16 janar 2013 Në ora: 11:51

(I plotësuar) - Njëri nga liderët politikë shqiptarë në Luginën e Preshevës, Jonuz Musliu, tha sot se nuk do të zhvendoset përmendorja e UÇPMB-së, e cila gjendet në qendër të Preshevës.

Zoti Musliu, pas takimit të përbashkët të liderëve shqiptarë në pjesën jugore të Serbisë, tha se është arritur marrëveshja që “nuk ka zhvendosje të përmendores së pjesëtarëve të rënë të UÇPMB-së, dhe se sot do të mbahet mbledhja e Kuvendit Komunal të Preshevës, në të cilën do të legalizohet përmendorja”.

Mëtutje, siç raporton agjencia Beta nga Presheva, ai ka theksuar se “komunat në Serbi kanë të drejtë ligjore t’i legalizojnë përmendoret në territorin e tyre dhe këtë sot do ta bëjnë këshilltarët e Kuvendit Komunal në Preshevë”.

Jonuz Musliu ka njoftuar se është marrë një urdhër i Inspeksionit të ministrisë së drejtësisë së Serbisë, që përmendorja të largohet, por sipas tij, komuna ka të drejtë ankese.

Liderët në Preshevë diskutojnë situatën rreth lapidarit

Ministria serbe e Drejtësisë, tha se të martën në mesnatë ka skaduar afati për largimin e pllakës përkujtimore kushtuar pjesëtarëve të rënë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit.

Në një komunikatë të kësaj ministrie thuhet se pas skadimit të këtij afati, inspektorati i saj do të nisë procedurë kundërvajtëse ndaj shefit të administratës komunale të Preshevës. Po ashtu do të përcaktohen edhe procedurat dhe afatet për largimin e pllakës përkujtimore.

"Me skadimin e afati ligjor, do të ndërmerren veprimet për largimin e pllakës së vendosur në mënyrë të paligjshme me ndihmën e organeve të punëve të brendshme nëse është e nevojshme”, thuhet në komunikatë.

Ndërkohë, aktualisht, përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, janë duke zhvilluar një takim në Preshevë për të diskutuar zhvillimet e fundit politike në atë vend, por edhe për çështjen e përmendores.

Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha shkurtimisht për Radion Evropa e Lirë së situata aktualisht është e qetë dhe nuk ka ndonjë zhvillim sa i takon çështjes së lapidarit.

“Deri në këto momente nuk ka ndonjë lëvizje përveç një urdhri që ka nga Ministria e Drejtësisë dhe Administratës shtetërore për largimin e përmendores në afat prej 5 ditësh, prej ditës së inspektimit".

"Dita e inspektimit të inspektorëve ka qenë 10 janari. Parimisht sot skadon afati i urdhëresës që i është dhënë kryeshefit të administratës komunale për largim. Megjithatë, aty ka edhe 8 ditë afat ankese, të shohim se si do të procedojmë jemi në bisedë e sipër”, tha Mustafa.

Kryetari i Komunës së Preshevës ka thënë po ashtu se situata e sigurisë është e qetë dhe nuk ka rritje të forcave të sigurisë.

Ndryshe, studentët e Universitetit të Prishtinës kanë njoftuar se sot do të organizojnë "një marshim studentor për Kosovën Lindore".

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat