Halimi: Serbia e vazhdon zgjidhjen e problemeve me dhunë

Kosova

Halimi: Serbia e vazhdon zgjidhjen e problemeve me dhunë

Më: 20 janar 2013 Në ora: 15:09

Shqiptarët në Luginën e Preshevës nesër do ta mbajnë një protestë për shkak të largimit të përmendores së pjesëtarëve të rënë të UÇPMB-së, kanë paralajmëruar sot përfaqësuesit politikë në Preshevë.

Në konferencën për shtyp në Preshevë, folën liderët politikë të Preshevës dhe Bujanovcit, të cilët kamnë porositur se protesta do të mbahet në mesditë.

Riza Halimi, i vetmi deputet shqiptar në Kuvendin e Serbisë, tha se Serbia e vazhdon zgjidhjen e problemeve me mjete të dhunshme, e jo me dialog.

“Qëndrim i përbashkët i të gjithë liderëve politikë është që të qëndrojmë në realizimin e të drejtave legjitime individuale dhe kolektive të shqiptarëve në Luginën e Preshevës”, tha Riza Halimi, në konferencën për shtyp, ku ishin të pranishëm edhe kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, dhe kryetari i komnunës së Bujanovcit, Nagip Arifi.

Njëri nga liderët politikë, Skender Destani tha se qeveria e Serbisë, me largimin e përmendores nga qendra e Preshevës, ka treguar se “nuk i dëshiron shqiptarët në Luginën e Preshevës”.

Ai theksoi se shqiptarët në pjesën jugore të Serbisë, me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, do të kërkojnë që t’i kenë të drejtat e njejta sikur serbët në pjesën veriore të Kosovës.

Në vendin ku ishte e vendosur përmendorja e luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së, qytetarët kanë vendosur qirinjë dhe kurora lulesh në nderim të luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat