LB: Xhandarmëria serbe kreu akt dhune kundër shqiptarëve

Kosova

LB: Xhandarmëria serbe kreu akt dhune kundër shqiptarëve

Më: 20 janar 2013 Në ora: 15:20

Sot në orët e hershme të mëngjesit, forca të shumta të xhandarmërisë serbe kryen një akt dhune kundër shqiptarëve - larguan me forcë lapidarin e dëshmorëve të kombit nga qendra e Preshevës, thuhet në reagimin e LB-së.

“Ky veprim i pushtetit serb është vazhdimësi e sjelljeve shoviniste të Serbisë jo vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës Lindore, por edhe kundër shqiptarëve në përgjithësi. Ky akt e shpërfaqi edhe njëherë realitetin e hidhur: shqiptarët të cilët jetojnë të trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë janë të privuar nga të drejtat elementare dhe se madje as ato nuk mund t’i realizojnë në kuadër të Serbisë.

Gjithashtu, ky akt tregon qartazi se politika e ndjekur ndaj Serbisë nga ana e Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë ka qenë e gabuar dhe e ka dëmtuar e po e dëmton interesin kombëtar të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Në njërën anë kemi politikën agresive shoviniste të Serbisë, e cila po i shtyp, vret, burgos e shpërngulë shqiptarët, e, në anën tjetër, kemi politikën qyqare të Tiranës e Prishtinës, e cila shqiptarët e Kosovës Lindore i quan dhe i trajton si pakicë kombëtare (!) dhe kërkon nga ata që të drejtat e tyre t’i realizojnë në institucionet serbe!

Qëndrimi i institucioneve tona ndaj çështjes së Kosovës Lindore duhet të ndryshojë. Lëvizja për Bashkim deklaron edhe njëherë se populli shqiptar në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, jeton në trojet e veta i ka të gjitha karakteristikat e kombit dhe se atij i takon e drejta e kombeve për vetëvendosje deri në shkëputje. Andaj, të gjithë shqiptarët, subjektet politike e institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë duhet të punojnë për jetësimin e kësaj të drejte, pra të bashkimit të Kosovës Lindore me Kosovën-Shqipërinë”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat