Qeveri e paaftë, e degraduar dhe e komprometuar

Kosova

Qeveri e paaftë, e degraduar dhe e komprometuar

Nga: Hafiz Gagica Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 13:10

Sot, jemi në prag të 5 vjetorit të njohjes formale dhe ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. Askush nga ne nuk mund të mos ndjehet i lumtur se sot e kemi shtetin tonë, lirinë dhe jetën më të sigurt, megjithëse proceset e shtetndërtimit po ecin me vështirësi të mëdha, sidomos zhvillimi ekonomik, shoqëror dhe ai juridik. Pra, Kosova tanimë është shtet i pavarur si rezultat i projektit politik dhe kombëtar i gjithë popullit, bashkë me lidershipin politik udhëhequr nga Dr. Ibrahim Rugova, president i parë dhe historik i Republikës së Kosovës.
Nuk ka asnjë dyshim, se shteti ynë sot do të duhej ta ketë një udhëheqje të dinjitetshme, sepse qytetarët tanë, brenda dhe jashtë Kosovës, kanë kontribuar me dekada për lirinë dhe pavarësinë e saj, por mjerisht, edhe sot e kësaj dite në kushte të vështira materiale dhe financiare po punojnë me po aq zell në ndërtimin dhe zhvillimin ekonomik të saj. Po ashtu, të gjithë pajtohemi se në pesë vitet e pavarësisë Kosova ka pasur një keqqeverisje e cila, përveç se është treguar e paaftë për të qeverisur me vendin, pra qeveria Thaçi-1 dhe 2, është degraduar dhe komprometuar me pranimin e dukurisë së korrupsionit dhe hajnisë në institucionet e shtetit, gjë e cila e ka dëmtuar rëndë zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Për ta mënjanuar këtë qeverisje dhe këtë staf të dobët qeveritar duhet, para së gjithash, t’iu jepet mundësia dhe hapësira për angazhim njerëzve të pa inkriminuar si dhe kuadrove të afta profesionale, të cilat do të punojnë për interesat e shtetit të Kosovës, e jo për pasurimin dhe komoditetin e tyre personal dhe familjar.
Pra, në krye të shtetit tonë duhet të vijnë ato kuadro, të cilat punojnë pa hile për zhvillimin e përgjithshëm si dhe mirëqenien sociale të popullit, për shtet ligjor, zhvillim të tregut të lirë, emancipim kulturor të shoqërisë, ku drejtësia do të jetë për të gjithë njësoj, pa korrupsion dhe tjetërsim të pasurive shtetërore të Kosovës. Kështu që këto dhe shumë objektiva tjera nuk mund të arrihen pa një përkushtim të sinqertë dhe dashuri ndaj vendit, pa mirëkuptim, besim, tolerancë dhe bashkëpunim të ndërsjellë partiak, ashtu siç kemi vepruar në fillim të viteve të 90-ta, kur ndërtuam frymën bashkuese dhe të solidarizimit për arritjen e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, shtet të lirë dhe demokratik..!
Njëri ndër parametrat kryesorë për realizimin e objektivave që u përmendën më lartë, është fakti i pamohueshëm, se politikani shqiptar do të duhej të ishte shumë më praktik dhe pragmatik në sjelljet e tij ndaj popullit dhe elektoratit zgjedhor, të flasë me ta me zë të qartë për problemet e shoqërisë, t’i prekë dhe zbërthejë të arriturat, por edhe problemet dhe mënyrën e zgjidhjes së tyre. Pastaj, premtimet e politikanit duhet të shoshiten mirë para masës si dhe të vlerësohen nga analistët meritorë, ngase shpeshherë kur i dëgjojmë duke folur para medieve dhe TV emisioneve, ata paraqiten si vetë analistë dhe jo si faktorë politik që duhet të ofrojnë vizion për zgjidhjen e problemeve, ose së paku, të japin ide dhe solucione konkrete për zgjidhjen e tyre.
Derisa isha në krye të Degës së LDK-së në Gjermani dhe udhëheqës i Kolegjiumit të të gjitha degëve të LDK-së në botë, për shumë vite rresht, të gjitha punët i kemi bërë me një përkushtim dhe vetëmohim të rrallë, ku të gjithë aktivistët tanë, pa dallim se ku jetonin, ata vepronin me vullnet dhe patriotizëm të pa kufij, që nga kryesia e Degës e deri tek anëtari i fundit i 400 aktiveve në skajet më largëta të Gjermanisë, por edhe deri në Australi, Kanada, Zelandë të Re, SHBA dhe gjithë Evropën. Ndaj, është arritur ajo që pakkush ka besuar se mund të realizohet me aq sukses, si në planin organizativ kombëtar e diplomatik, ashtu dhe në tubimin e ndihmave humanitare për Kosovën dhe kërkesat e ndryshme për luftën tonë çlirimtare.
Uroj që përvjetorët e ardhshëm të pavarësisë së Kosovës të na gjejnë si shtet më të zhvilluar ekonomikisht, më të begatshëm dhe më lumtur si shoqëri e lirë dhe demokratike, më afër qëllimeve tona kombëtare, por edhe më afër lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë në Evropë, si hap drejtë anëtarësimit të Kosovës në BE si dhe në strukturat euroatlantike...!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat