Kuvendi shënoi pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë - Bota Sot
Kuvendi shënoi pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Kosova

Kuvendi shënoi pesë vjetorin e shpalljes së pavarësisë

Më: 17 shkurt 2013 Në ora: 16:18

Krerë të institucioneve të vendit dhe të atyre nga rajonit kanë vlerësuar se gjatë këtyre pesë viteve të funksionimit të shtetit është arritur të dëshmohet se Kosova e pavarur është faktor stabiliteti dhe paqeje në rajon. Këto janë thënë në seancën solemne të mbajtur me rastin e shënimit të pesë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Seanca solemne ka filluar me intonimin e himnit shtetëror të Kosovës. Por deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje nuk janë ngritur në këmbë, duke e injoruar këtë himn.

Në këtë seanca kanë qenë të pranishëm si Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, Kryeparlamntarja, Jozefina Topalli, lideri I Partisë Socialiste, Edi Rama, liderët e shqiptarëve në Maqedoni dhe ata të Luginës së Preshevës.

Me këtë rast Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se pesë vjet janë si një jubile i vogël, por një ngjarje e madhe historike që po shënohet sot.

Ai ka shtuar se njohja e pavarësisë së Kosovës ka arritur numrin afër treshifror, ndërsa ajo është konfirmuar edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Por, Krasniqi ka thënë se nuk ka edhe shumë hapësirë për vetëkënaqësi, pasi që siç ka thënë ai ka mundur të bëhet edhe më shumë në këto pesë vite.

“Nuk kemi asnjë arsye për vetëkënaqësi duke pasur resurse natyrore të pashfrytëzuara, që mund ta kishin vënë vendin tonë në një stad më të lartë të veprimit. Vendi ynë ndodhet para sfidave të shumta historike, të dala nga një epokë vuajtjesh diktaturash. Ne nuk mund ta ndryshojmë e as të harrojmë historinë, por mund ta ndërtojmë një të ardhme të ndritur”, ka theksuar Krasniqi.

Gjithashtu, ai ka shtuar se Kosova është në funksion të bashkëpunimit me shtet mike dhe në këtë rrafsh edhe me shtetin fqinj Serbinë, por siç ka thënë ai jo në kurriz të integritet territorial.

Kreu i legjislativit ka thënë se Deklarata e Pavarësisë para pesë vjetësh përcaktojë të ardhmen evropiane.

Ndërsa, Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës është akti më madhor, që siguron një të ardhme më të mirë dhe paqe në rajon.

“Shpallja e pavarësisë së një vendi nga ata që përfaqësojnë qytetarët e tij, është akti më madhor, është vepra më fisnike dhe më e lartë. Ky është hap që siguron të ardhmen e qetë dhe të përparuar të qytetarëve të vendit dhe gjithsesi vendos bazën e zhvillimit e të mirëqenies së tyre. Historia e pavarësisë së shtetit tonë të përbashkët është e re. Ajo është pjesë e secilit qytetar të Kosovës dhe e secilës gjeneratë. Është hap madhor në vendosjen e paqes dhe të stabilitetit dhe në forcimin e sigurisë e të partneritetit jo vetëm në rajon por edhe më gjerë.”, ka thënë presidentja Jahjaga.

E para e vendit ka thënë se Bashkimi Evropian është synimi i Kosovës dhe alternativa e vetme që ka përpara.

Për më tepër ajo ka thënë se dialogu që po zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë, nuk po zhvillohet për të ndarë Kosovën, as për autonomi e statuse të posaçme, por mbi të gjitha zgjidhjet do jenë brenda Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Një fjalim për këtë pesë vjetor ka mbajtur edhe Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli ka folur për të parët tanë, që kanë kontribuar deri tek shpallja e pavarësisë.

“Kosova është djep i shqiptarëve dhe për këtë në emër të Kuvendit të Shqipërisë dua të falënderoj. Sot nderojmë çdo shqiptarë në Kosovës, çdo familje, sot kujtojmë presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën, arkitektin e Kosovës së pavarur dhe nderojmë veprën e tij sot. Në këtë ditë historike nderojmë luftën çlirimtare, martirët e shumë të saj, e mbi të gjithë legjendën e saj, Adem Jashari.

Ai është vetë shqiptaria, zjarri i flijimit për këtë dhe është i përjetshëm kujtimi tij”, ka deklaruar Topalli.

Për më tepër ajo ka shtuar se Shqipëria dhe Kosova kanë potencial të jenë model jo vetëm për rajonin e Evropën, por siç ka thënë ajo edhe për botën.

Duke folur për bashkimin, Topalli ka thënë se Kosova dhe Shqipëria do të bashkohen në Bashkimin Evropian, duke shtuar se shqiptarët janë model i paqes, lirisë, vullnetit dhe punës.

Ndërkaq, kryeministri Hashim Thaçi tha se pavarësia e Kosovës është akt madhështor. Ai ka nderuar dhe çmuar veprën e të gjithë heronjve dhe qytetarëve të Kosovës, për sakrificën bërë për të gëzuar këtë ditë. Ai ka falënderuar edhe faktorin ndërkombëtarë.

“Pavarësie e Kosovës është kurorëzim i vullnetit gjithëpopullorë dhe vizionaritetit për shtetet në krijim. Lufta e drejtë dhe orientimi vizionarë për çlirim që ka bërë Kosova ta ketë mbështetjen e botës së fuqishme dhe demokratike. Bota ishte e pranishme në Kosovë dhe ishte dëshmitare e botës demokratike”, theksoi Thaçi.

Ndryshe me rastin e pesë vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë ditës janë shënuar një sërë aktivitetesh për këtë festë.

Njëra nga to më të rëndësishme ka qenë Parada e Pavarësisë, ku kanë parakaluar Forca e Sigurisë së Kosovës, Policia e Kosovës dhe Agjencia e Emergjencave. Por nuk përfundojnë me kaq këto aktivitete, pasi që në mbrëmje do të mbahet një koncert i madh, si dhe do të hidhen fishekzjarrë të organizuara nga institucionet e vendit.


Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...