Universiteti i Gjilanit fillon punën me 1 tetor të këtij viti - Bota Sot
Universiteti i Gjilanit fillon punën me 1 tetor të këtij viti

Kosova

E mërkurë, 21 nëntor 2018

Universiteti i Gjilanit fillon punën me 1 tetor të këtij viti

Më: 19 maj 2013 Në ora: 10:04

Universiteti i Gjilanit do të nisë punën më 1 tetor të viti akademik 2013-2014. Pas marrjes së vendimit për themelimin e Universitetit të Gjilanit nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Ministria e Arsimit është duke punuar intensivisht që ky universitet të fillojë punën me kohë.

Zyrtarë të ministrisë bëjnë të ditur se ka kuadro të mjaftueshëm për të filluar viti i ri akademik.

Këshilltari i lartë politik në Ministrinë e Arsimit, Naser Mrasori, thotë për Radio Kosovën se kjo ministri ka bërë të gjithë hapat e nevojshëm për themelimin e Universitetit të Gjilanit dhe të gjitha përgatitjet e mundshme për fillimin e vitit të ri akademik. Ai theksoi se tashmë është duke u themeluar edhe bordi drejtues i këtij universiteti. Themelimin e këtij universiteti e bën më të lehtë tradita akademike që tashmë ka ky qytet, thotë Mrasori.

“Pas marrjes së vendimeve të Qeverisë për hapjen e universiteteve të reja, MASHT-i ka marrë hapat e parë në themelimin e bordeve të universiteteve në fjalë e konkretisht universitetin e Gjilanit. Dihet fakti se Gjilani ka një përvojë të mirë në arsimin e lartë si përmes Fakultetit të Edukimit dikur ish-shkolla e lartë për përgatitjen e mësimdhënësve. Poashtu në Gjilan kanë qenë të hapura edhe dy degë, ajo e Fakultetit Ekonomik dhe Juridik. Nga pikëpamja e infrastrukturës Gjilani ka një infrastrukturë të mirë, nëse nuk ngarkohet me numër të madh të studentëve”, deklaroi ai.

Mrasori beson se ka edhe kuadro të mjaftueshëm për këtë universitet. Sipas tij, nëse duhet staf i ri, tashmë Universiteti i Prishtinës ofron shkollën e doktoratës dhe mund të bëhen lëvizje të stafit nëpër universitete publike.

“Gjithashtu, Gjilani ka ka një numër të madh të stafit akademik që për fillim besoj është i mjaftueshëm. Së pari sa i përket stafit akademik do të veprojmë si në Universitetin e Prizrenit dhe Pejës, aty ku kemi mundësi të mbulohet me staf të rregullt, natyrisht që do të angazhojmë stafin e rregullt aty ku ka mungesë do të shikojmë të lëvizim stafin akademik i cili brenda universiteteve publike do të bartet në këto qendra”.

Ndërsa, sa i përket fushave të studimeve që do të ofrojë ky universitet, Mrasori thotë se kjo do të bëhet në bazë të kërkesave që ka tregu i asaj ane. Ai bëri të ditur se tashmë është gati edhe Statuti i këtij universiteti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test