EULEX-i dështoi në sundimin e ligjit

Kosova

EULEX-i dështoi në sundimin e ligjit

Më: 2 korrik 2013 Në ora: 17:54

EULEX-i dështoi që në mënyrë të duhur të vendosë zbatimin e ligjit në veriun e Kosovë. Misioni i EULEX-it dështoi edhe sa i përket trajtimit të rasteve të krimit të organizuar të profilit të lartë, ndërsa shfaqi koordinim të dobët me aktorët ndërkombëtarë, e në veçanti me KFOR-in. Këto vlerësime kanë dalë nga raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, “Në valle me EULEX-in: Luj shote luj”, në të cilin u prezantua puna e deritanishme e misionit të EULEX-it në Kosovë.

Në këtë prezantimit, që u organizua nga “Forumi 2015”, ishin të pranishëm akterët e sundimit të ligjit, duke përfshirë edhe shefin e EULEX-it Bernd Borchardt dhe zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Drejtësisë, Hajredin Kuçin.

Bernd Borchardt, shef i EULEX-it në Kosovë, iu përgjigj të gjitha kritikave të dala në këtë raport, duke shprehur bindjen se misioni që ai drejton, është në rrugë të mirë, për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ne së pari jemi këtu për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe unë pajtohem se luftimi i korrupsionit duhet të jetë një përpjekje patriotike dhe ne jemi duke diskutuar autoritetin se si mund të japim kontributin në këtë fushë. Luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit nuk është vetëm i njerëzve që janë në favor të sundimit të së drejtës, por është në interesin e të gjithë atyre që presin liberalizimin e vizave. Po ashtu adresimi i krimeve të luftës, që të gjithë ata që kanë bërë krime lufte të sjelljen para drejtësisë”, ka thënë ai.

Po ashtu, ai ka thënë se misioni i EULEX-it është edhe zbatimi i marrëveshjes së arritur për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se implementimi i marrëveshjes do të lehtësojë jetën e qytetarëve edhe në veri të vendit. Dhe për gjithë këtë ai ka kërkuar edhe ndihmë e Qeverisë së Kosovës.

I pari i EULEX, edhe një herë ka sugjeruar institucionet e Kosovës, që të heqin dorë nga ndikimi i tyre në gjyqësor, duke iu referuar deklaratave të disa deputetëve, lidhur me kritikat e tyre ndaj EULEX-it, në raport me luftën e UÇK-së.

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka pohuar se qendrat vendimmarrëse në EULEX-it, në Kosovë kanë qenë të pavarura dhe se nuk ka pas kurrfarë ndërhyrje nga institucionet e drejtësisë në këtë mision. Ndërsa, ka siguruar EULEX-in se institucionet e Kosovës, do të ndihmojnë këtë mision në arritjen e qëllimit dhe misionit të tij.

“Çdo veprim që e bëjmë në Kosovë me EULEX-in duhet të kemi parasysh çka mendojnë dy e treta e kuvendit, por edhe 25 shtete anëtare të BE-së. Pra, duhet kë kemi një bashkëpunim në këtë drejtim. Edhe kjo që u tha “në valle me EULEX-in”, kisha pas dëshirë që në raportin tjetër ta shohin edhe institucionet e Kosovës ku janë në atë valle. Qëllimi ynë është që ky top, që ishte si simbolik të shtyhet më shumë nga institucionet tona, se sa ato të EULEX-it dhe ky do të jetë qëllimi ynë”, ka thënë ai.

Vjosa Osmani, deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se EULEX-i, përveç që dështoi në shtrirjen e sovranitetit në veri të vendit, ai nuk arriti as të luftojë krimin e organizuar, por as korrupsionin.

“Është e vërtetë që veriu dhe mos shtirja e sovranitetit, duke pas parasysh rolin e EULEX-it ka qenë dekurajuese, në veçanti kur zyrtarë të lartë të EULEX-it, nuk mund ta bëjnë asnjë hap pa e pyetur edhe Serbinë. Kjo lëre që e ka humbur besimin tek qytetarët, por edhe tek zyrtarët institucional të Kosovës. Ndërsa reagimi ynë ishte që nuk keni nevojë të pyesni njerëzit në Serbi, për veprimet që merren ekskluzivisht në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

Osmani, ka kritikuar misionin e EULEX-it edhe sa i përket mos zbulimit nga ana e këtij misioni krimet e pasluftës, duke iu referuar vrasjeve të zyrtarëve të lartë të LDK-së. Ndërhyrjet politike në gjyqësor, sidomos nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, janë shqetësuese për LDK-në.

Shpend Ahmeti, nënkryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, duke komentuar këtë raport, ka shtruar nevojën që të shqyrtohet misioni i EULEX-t, pasi që sipas tij, Kosova nuk ka nevojë për policë dhe gjyqtarë, por për profesorë, që do të kontribuonin në zhvillimin ekonomik të vendit.

“Unë e çmoj ndihmën e BE-së, tepër shumë dhe është e nevojshme, por duhet të rinegociohet me Brukselin për çështjen e ndihmës. Sepse neve na duhet zhvillim, na duhen profesorë të bujqësisë e të ekonomisë që ta zhvillojmë vendin, e jo policë e gjykatës”, ka thënë ai.

Raporti i Grupit për Studime Juridike dhe Politike, “Në valle me EULEX-in: Luj shote luj”, flet edhe për dështime të EULEX-it edhe në aspekte tjera, duke përmendur qëndrimin neutral karshi statusit të Kosovës. EULEX-i u kritikua edhe sa i përket burimeve njerëzore, që sipas raportit janë të pamjaftueshme si pasojë e mungesës së kapacitetit, strukturës dhe koordinimit. Në këtë raport u vu në pah edhe ndikimi i jashtëm politik mbi EULEX-in.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat