Replay Peace dhe Zëri i Forcës organizuan sot mini-maratonën humanitare “Të vrapojmë së bashku me fëmijët 2025” në sheshin “Ibrahim Rugova”, me rastin e Ditës së Presidentit të Kosovës.
Qëllimi i kësaj maratone ishte mbështetja e kauzës për fëmijët, ku paratë e mbledhura do të përdoren për të blerë lodra dhe dhurata për fëmijët në nevojë.
Ndonëse moti ishte me shi, pjesëmarrësit e kësaj mini-maratone thanë se ishte një eksperiencë e mirë.
Përfaqësuesi i Replay Peace, Burim Krasniqi tha se ky është edicioni i gjashtë i kësaj maratone. Ai tha se për shkak të motit me shi, në këtë mini-maratonë morën pjesë rreth gjashtëdhjetë persona.
Krasniqi: Mini-maratona mbështet kauzën për të ndihmuar fëmijët në nevojë
“Ky organizim sot që është bërë edhe pse është pak moti me shi, kemi filluar një aktivitet të mirë. Qëllimi është të mbështesim kauzën për fëmijët. Si çdo vit, ky është edicioni i gjashtë i maratonës që mbahet. Ne kemi pritur një numër jashtëzakonisht të madh, por shkaku i motit morën pjesë një numër më i vogël – dikur 60 apo 70 persona. Më tej, kemi vazhduar me aktivitete të tjera. Pas kësaj do ta paraqesim si maratonë humanitare, ku të gjitha mjetet që do të grumbullohen sot prej njerëzve iu dhurohen fëmijëve. Ne blejmë lodra dhe dhurata e i dërgojmë në prag të Kurban-Bajramit në spitale dhe qendra të ndryshme...Maratona filloi te sheshi 'Ibrahim Rugova', vazhdojmë te Grandi, rruga Galibard, New Born, vazhdojmë rrugës Luan Haradinaj, Fehmi Agani, prapë nga sheshi dhe kthehemi këtu prapë", tha Krasniqi.
Në kuadër të kësaj maratone, simbolikisht pati edhe një lloj gare në mes të vrapuesve. Vendin e parë e zuri katërmbëdhjetëvjeçari, Lendrit Zuka. Ai e përshkroi si sfidë të mirë këtë maratonë.
Zuka: Ishte një sfidë e mirë të vrapojmë, relaksim i plotë
"Një sfidë e mirë që të vrapojmë, një relaks i mirë. Si t’u duk moti ishte me shi? Mirë, fllad, lehtë, shkurt. Nuk ishte shumë vështirë, mirë për neve...Koha s'do të thotë gjithçka, edhe në shi bën të vraposh. Është pak e lodhshme, por mirë prapë... Si ia dole të vraposh më shpejt se të tjerët? Veç duhet me qenë i përgatitur sa duhet dhe të vazhdosh përpara", tha Zuka.
Edhe vrapuesja tjetër Albulena Jaha tha se kanë kaluar mirë, ndonëse moti e shi ishte një pengesë. Ajo potencoi edhe qëllimin e kësaj maratone.
Jaha: Kemi kaluar shumë mirë pavarësisht motit me shi
"Kemi kaluar shumë mirë. Kemi pasur motin me shi. Por e kemi pasur maratonën dhe kam marrë pjesë edhe në gara të tjera që e kam zënë vendin e parë. Sa e kishit vështirë të vraponi në maratonë? Jo, aspak. Qëllimi është edhe të mbledhim mjete për njerëzit në nevojë...Kemi kaluar shumë mirë, por pak rrëshqitshim (prej shiut)", tha Jaha.
Të pranishëm në këtë maratonë ishin edhe familjarët e vrapuesve që morën pjesë.
Leonora Makolli tregoi se vëllai i saj, Arti është i lumtur që ishte pjesë e garës.
Makolli: Vëllai im ka qenë tepër i lumtur që mori pjesë në një maratonë të tillë
"Sot ka marrë pjesë vëllai dhe ka qenë tepër i lumtur për një maratonë të tillë, pavarësisht kushteve atmosferike...Është shumë e rëndësishme edhe për shkak të Ditës së Presidentit, por që është edhe pjesë humanitare që do të ndahen (mjete) për fëmijët në nevojë që është me rëndësi. Ia ka vlejtur shumë", tregoi Makolli.
Në sheshin “Ibrahim Rugova”, ku u mbajt mini-maratona, përveç Policisë së Kosovës, ishin të pranishëm edhe pjesëtarë të KFOR-it.