Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se është ndarë nga jeta të Prof. Dr. Isak Hoxha(1947–2025), një prej figurave më të shquara të arsimit të lartë në Kosovë dhe profesor i përkushtuar i matematikës për dekada të tëra.
Prof. Hoxha ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës, si dhe në Departamentin e Matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës.
Përveç këtij angazhimi, ai ka kontribuar ndjeshëm edhe në Universitetin e Prizrenit dhe atë të Gjilanit, duke edukuar gjenerata të tëra studentësh me përkushtim të rrallë dhe profesionalizëm të lartë.
“Ai do të mbahet mend jo vetëm si mësimdhënës i shkëlqyer, por edhe si njeri me vlera të thella humane”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Universiteti i Prishtinës në emër të Departamentit të Matematikës.
Universiteti ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët, miqtë dhe gjithë komunitetin akademik, duke vlerësuar se humbja e tij përbën një boshllëk të ndjeshëm në fushën e arsimit dhe shkencës në vend.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër, më 25 maj 2025, në ora 13:00, në varrezat e fshatit të tij të lindjes, Zhur.