Zyra për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV) ka njoftuar se gjatë periudhës njëjavore ka trajtuar 60 raste të reja të dhunës në familje.
Sipas të dhënave zyrtare të publikuara nga ZMNV, prej 60 rasteve të raportuara, 56 raste lidhen me dhunën në familje dhe 2 raste për dhunim.
“Një rast për vrasje në tentativë dhe një rast për trafikim me njerëz”, thuhet në njoftim.
ZMNV ka ndërmarrë edhe një sërë veprimesh ligjore dhe mbrojtëse për viktimat duke parashtruar në gjykatë tetë kërkesa për urdhër mbrojtjeje, 12 kërkesa për urdhër mbrojtjeje emergjente janë iniciuar, tri kërkesa për kompensim viktimash janë dorëzuar.
Po ashtu, gjatë kësaj jave janë përfaqësuar 12 raste në polici dhe dy raste në strehimore, janë dhënë 58 këshilla juridike për viktimat, janë ndjekur 83 seanca gjyqësore dhe 13 seanca në prokurori.
Sa i përket vendimeve gjyqësore janë regjistruar tetë aktgjykime dënuese, një aktgjykim lirues dhe një aktgjykim refuzues.
ZMNV gjithashtu ka përcjellë gjashtë raste në Qendrat për Punë Sociale dhe ka paraqitur tre ankesa, si dhe gjashtë parashtresa të tjera lidhur me rastet.
Ky raportim vjen si pjesë e transparencës dhe angazhimit institucional për të garantuar mbrojtje ligjore dhe mbështetje të vazhdueshme për viktimat e dhunës dhe krimeve të tjera.