Thaçi: Veprimet e Maqedonisë janë anti-evropiane - Bota Sot
Thaçi: Veprimet e Maqedonisë janë anti-evropiane

Kosova

Thaçi: Veprimet e Maqedonisë janë anti-evropiane

Më: 11 shtator 2013 Në ora: 13:20

Bllokimi i mallit nga Kosova dhe i lëvizjes së lirë të qytetarëve që duan të shkojnë në Maqedoni është veprim anti-evropian, thotë shefi i qeverisë në Prishtinë, i cili bëri thirrje që kjo gjendje të tejkalohet sa më parë.

Kryeministri Hashim Thaçi mendon se raportet e mira ndërfqinjësore që janë acaruar së fundi, duhet t’i kthehen normales, por vetëm nëse ato janë në të mirë të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.

“Besoj se ka vullnet për tejkalimin e kësaj gjendje të padëshirueshme, mund të them për shtetin e Kosovës por, aspak ndihmuese për qasjen anti-evropiane të Maqedonisë në raport me shtetin e Kosovës. Kështu që ftoj që të përmbyllet sa më shpejt që është e mundur, dhe të gjendet zgjidhja. Por gjithmonë duke respektuar interesat e shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës”, tha ai.

Gjatë mbledhjes së qeverisë, kryeministri i tregoi kabinetit të tij se ka biseduar në telefon me homologun maqedonas Nikolla Gruevski për këtë punë, por nuk sqaroi nëse po të njëjta fjalë ia tha atij sikur që po i thotë të mërkurën.

Kryeministri Thaçi megjithatë bëri të ditur disa detaje nga kjo bisedë e zhvilluar ditë më parë, ku sipas tij, si ai ashtu edhe Gruevski janë të shqetësuar nga situata e krijuar dhe se të dytë janë pajtuar që zgjidhja të gjendet shumë shpejt.

Këto probleme, siç tha ai, mund të zgjidhen brenda 24 orëve.

“Jemi dakorduar [me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski] që të vazhdojnë takimet në nivel sa më të lartë politik dhe të përmbyllet mundësisht sot ose nesër”, tha kryeministri Thaçi.

Shoqata e transportuesve të Maqedonisë po mban të bllokuar rrugët që çojnë në pikëkakimet kufitare në Han të Elezit dhe Glloboçicë prej të hënës mbrëma, dhe nuk lënë asnjë mjet transportues që të hyjë apo dal nga Maqedonia për në Kosovë.

Kjo pas kundërpërgjigjes së Prishtinës zyrtare për të mbyll kufirin për produktet maqedone, që erdhi si pasojë e futjes së një takse rrugore për shtetasit e Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...