Arifaj: Unë do të jetoj sa të dojë populli

Kosova

Arifaj: Unë do të jetoj sa të dojë populli

Më: 12 tetor 2013 Në ora: 23:58

Momentalisht i kemi rreth 1100 nënkryetarë. Asnjëherë numri i tyre nuk është i mjaftueshëm, edhe nëse të gjithë njerëzit e botës bëhen nënkryetarë të Partisë së Fortë.

Çdo njeri natyrshëm është nënkryetar i PF-së, por gjatë jetës zgjedhin rrugë tjera. Por, edhe kur bashkohen me të tjerët, janë pjesë e Partisë së Fortë, sepse të gjitha partitë janë pjesë e jona.

Ne jemi uniteti i të gjitha partive, ka thënë në një intervistë në Rrokum, kryetari lexhendar i Partisë së Fortë, Visar Arifaj.

“Plani është ky: fillojmë me lokale, pastaj detyrimisht në zgjedhjet nacionale. Arsyeja kryesore për këtë është se duhet ta ndryshojmë Kushtetutën, se me Kushtetutë tashti kandidati për president duhet t’i ketë detyrimisht 35 vjet e unë ende nuk i kam. Kështu që në zgjedhjet e ardhshme futemi në Parlament, e ndryshojmë këtë nen, ta bëjmë në 27 vjet, ose 26 më sigurt, e pastaj unë kandidoj për president”, ka thënë Arifaj.

Ai thotë se vendosi të kandidojë për Prishtinën, sepse e ndjente si obligim moral ndaj këtij vendi.

“Ishte dëshira e mbarë popullit që ta shohin një lider të kalibrit të kryetarit të Partisë së Fortë, që koincidon të jem unë”.

Arifaj thotë se planet për Prishtinën janë që ndryshimet të mos jenë drastike, që qytetarëve të mos u prishet rehatia.

“Me ardhjen tonë në pushtet, qytetarët nuk do ta vërejnë bile asnjë ndryshim. Do të vazhdojnë jetën normale e do të thonë një ditë: uh, sa mirë po jetojmë”, thotë ai. “Numrin e administratës do ta rrisim në 1200, por ata nuk do të rrinë në punë”.

Ai përsëriti se sondazhet e para të PF-së ishin që do t’i fitojnë 120 për qind të votave, ndërsa tash ka ngritje në 128 për qind.

“Pa marrë parasysh sondazhet, një ditë para votimeve vendosim se sa duhet të jetë prania jonë. Ne i mbështesim të gjitha subjektet politike. Do t’i shikojmë programet që ata i kanë dhe do të analizojmë se nga cila anë e kemi profitin më të madh. Sepse, ndoshta kemi më shumë fitim nëse nuk vijmë në pushtet, dhe është mirë në këtë rast të vendosim të mos i fitojmë zgjedhjet. Kështu përcaktohemi kujt t’ia japim fitoren”, thotë Arifaj i cili është i kënaqur me kundërkandidatët, “sepse secili është më serioz se tjetri, kanë ide të bukura, si evropianizimi” që i lë shumë përshtypje.

Sipas tij, dita e parë si kryetar i Prishtinës do të jetë e mundimshme, sepse është serioz, njeri i punës, e duhet t’i shmang festimet e mëdha. Ndërsa, ditë të fundit për të nuk do të ketë.

“Nuk do të ketë, sepse nuk do ta lë pushtetin. Unë do të jetoj sa ta dojë populli. Unë jam i gatshëm ta zgjas jetën”, thotë Arifaj.

Ai premtoi legalizimin e marihuanës meqë tradicionalisht “është përdorë nga nënat tona”, rritjen e vrimave të gjilpërave, rritjen e numrit të njerëzve që nuk do të punojnë, shpalljen e kundërligjshme të ndonjë sëmundjeje që të rregullohen statistikat e shëndetësisë në Kosovë, shqyrtimin e mundësisë që pulat të bëjnë ve të ziera, martesat të mos bëhen në mënyrë ligjore sepse “kështu ulet numri i divorceve”, ftohjen e ngrohjes globale duke ulur përdorimin e fasules, ulje të pagave për të rritur efikasitetin e punës, zgjidhjen e problemit të “promajës” dhe “gojës mas veshit” duke ua ndaluar banesave të kenë më shumë se një dritare, importimi i rërës dhe kripës që liqenet rreth Prishtinës t’i bëjë dete, zgjidhjen e alergjisë nga poleni me “gjelbërim” sintetik, asfalt me akull apo me zinxhirë varësisht nga stinët etj. /telegrafi/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat