​Tri kompani konkurrojnë në ankandin e parë të energjisë me erë në Kosovë

Kosova

​Tri kompani konkurrojnë në ankandin e parë të energjisë me erë në Kosovë

Më: 15 shtator 2026 Në ora: 17:31
Fotoilustrim

Tri kompani dhe konsorciume kanë dorëzuar oferta në ankandin e parë të energjisë me erë në Kosovë.

Në garë, sipas portal Ballkan Green Energy News, janë kompania franceze Akuo Energy dhe një konsorcium gjermano-kosovar. Ky konsorcium përbëhet nga Notus Energy dhe Stublla Energy. Ofertë ka dorëzuar edhe konsorciumi i udhëhequr nga kompania turke Güriş.

Përmes këtij ankandi, Ministria e Ekonomisë synon të krijojë kapacitete të reja për prodhimin e energjisë nga era. Kapaciteti i projektit do të jetë nga 50 deri në 100 MW.

Komisioni do t’i kontrollojë ofertat dhe dokumentet e dorëzuara. Fituesi do të jetë kompania ose konsorciumi që ofron çmimin më të ulët për energjinë e prodhuar.

Çmimi nuk mund të jetë më i lartë se 80,2 euro për MWh. Fituesi do të ketë marrëveshje 15-vjeçare për shitjen e energjisë elektrike.

Ky është ankandi i parë publik dhe konkurrues i Kosovës për energjinë me erë. Megjithatë, në vend tashmë funksionojnë disa parqe të tilla.

Në operim janë Bajgora me kapacitet prej 104,1 MW dhe Zatriqi me 70 MW. Po ashtu, Kitka ka kapacitet prej 32,4 MW, ndërsa Goleshi prej 1,35 MW.

Këto parqe janë zhvilluar përmes sistemit të mëparshëm të autorizimeve dhe skemave mbështetëse. Ato nuk janë përzgjedhur përmes ankandit publik.

Disa nga kompanitë në garën e re kanë punuar edhe në projektet ekzistuese. Notus Energy ka marrë pjesë në ndërtimin e parkut të Bajgorës, ndërsa Güriş operon parkun Kitka në Kamenicë, sipas BGEN, që thotë se Kosova, siç shkruan ky portal planifikon të mbështesë gjithsej 150 MW kapacitete të energjisë me erë përmes 2 raundeve të ankandeve.

Procesi synon rritjen e prodhimit vendor dhe zvogëlimin e varësisë nga importi i energjisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat