Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, po qëndron në një vizitë zyrtare në Turqi, ku ka zhvilluar takime me zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve e kompanive turke.
Gjatë vizitës në qytetin Şanlıurfa, Bulliqi mori pjesë në Festivalin e Aviacionit TEKNOFEST, ku nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Dr. Elvan Kuzucu Hıdır, kryetare e Bordit të T3 Vakfı dhe anëtare e Bordit të Agjencisë Hapësinore të Turqisë.
Sipas Komunës së Podujevës, marrëveshja parasheh themelimin e një qendre për trajnimin dhe përgatitjen e nxënësve të Podujevës në fushat e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit.
Programi dyvjeçar do t’u mundësojë nxënësve të përzgjedhur të trajnohen në robotikë, kodim, inteligjencë artificiale, elektronikë dhe teknologji hapësinore. Sipas njoftimit, ata do të kenë gjithashtu mundësi për një vit praktikë dhe përfshirje në projekte konkrete.
Bulliqi tha se Podujeva është komuna e parë në Kosovë që ka arritur një marrëveshje të tillë, ndërsa nxënësit që do të dallohen gjatë trajnimeve mund të marrin pjesë edhe në gara ndërkombëtare të teknologjisë dhe inovacionit.
Në kuadër të vizitës, kryetari i Podujevës u takua edhe me Ali Oğuz, drejtor i Tarım Teknolojileri Kümelenmesi (TÜME), organizator i zonës së teknologjive bujqësore në TEKNOFEST.
Sipas komunës, TÜME përfshin 22 kompani të mëdha turke që zhvillojnë teknologji inovative për bujqësinë. Në takim është diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave në teknologjitë bujqësore, me fokus në përfitimin e fermerëve të Podujevës.
Në fillim të vizitës, Bulliqi është takuar edhe me Selçuk Bayraktar, drejtuesin e teknologjisë (CTO) të kompanisë së dronëve Bayraktar.