Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy objekte ndërtimi, një në Prishtinë dhe një në Viti, pas konstatimit të parregullsive dhe mungesës së masave të nevojshme për sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve në vendin e punës, shkruan “Bota sot”.
Sipas njoftimit të Inspektoratit Qendror të Punës, vendimet për ndalimin e punimeve janë marrë pas inspektimeve të realizuara në terren, ku janë evidentuar shkelje të kërkesave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë (SSHP).
Punimet në të dy objektet do të mbeten të ndaluara deri në eliminimin e parregullsive të konstatuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Me këtë rast, Inspektorati Qendror i Punës u ka bërë thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë legjislacionin në fuqi dhe të marrin masat e nevojshme për të garantuar sigurinë dhe shëndetin e punëtorëve gjatë ushtrimit të detyrave të tyre.