Bajrami bisedoi me nxënës për Provimin e Maturës Shtetërore

Kosova

Bajrami bisedoi me nxënës për Provimin e Maturës Shtetërore

Më: 18 shkurt 2015 Në ora: 16:52

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami, ka vizituar sot tri shkolla: "Sami Frashëri" në Prishtinë, "Ismail Luma" në Lipjan dhe "Kuvendi i Arbërit" në Ferizaj, me qëllim që të dëgjojë kërkesat e nxënësve dhe mësimdhënësve, sa i përket vendosjes së prioriteteve të Qeverisë, respektivisht MAShT-it në këtë mandat.

Ministri Bajrami, gjatë bisedës që zhvilloi me nxënësit e klasës së 12 të Gjimnazit "Sami Frashëri", foli për rëndësinë që do t'i kushtohet ngritjes së cilësisë përmes krijimit të ambienteve të përshtatshme shkollore dhe ndryshimit të infrastrukturës ligjore.

"Çështja e parë rreth së cilës do të angazhohemi këtë mandat është ngritja e cilësisë. Do të rishikojmë programet, të cilat do të lirohen nga përmbajtjet e tepërta. Kurrikulat tona duhet të jenë praktike dhe shkolla do të jetë humane, vend që praktikisht do të jetë edhe vend argëtimi", tha ministri Bajrami, ndërsa theksoi se së shpejti do të dërgohet në Kuvend Ligji për Provimin e Maturës Shtetërore. "Matura nuk do të jetë pengesë për regjistrim në fakultete, meqenëse tani standardi i ri që do të propozojmë do të jetë kriteri i arritshmërisë dhe do të propozohet heqja e pragut të kalueshmërisë", tha ai.

I pyetur nga nxënësit lidhur me ndryshimet që pritet të bëhen në Ligjin për Provimin e Maturës Shtetërore dhe heqjen e provimit pranues në fakultete, ministri Bajrami i siguroi ata se angazhimi i Ministrisë së Arsimit do të jetë krijimi i një mjedisi ligjor në favor të nxënësve, në mënyrë që matura të mos krijojë stres dhe të mos vështirësojë regjistrimin e tyre në fakultete. Ministri Bajrami shpjegoi se "pranimi i studentëve në institucionet e arsimit të lartë do të bëhet në bazë të rezultateve të arritura, ku 30% do të jetë suksesi gjatë shkollimit të mesëm dhe të lartë, 40% suksesi në provimin e maturës shtetërore, dhe 30% në vlerësimin e brendshëm të njësive akademike ku aplikoni". Ai i njoftoi që Provimi i Maturës do të jetë kriter i vetëm për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë, në kohën kur do të fillojë zbatimi i plotë Kornizës së Kurrikulit të Kosovës (KKK), ndërsa tani institucionet e arsimit të lartë (në degë të caktuara), mund të pranojnë studentë pa vlerësim të brendshëm të njësive akademike edhe para fillimit të zbatimit të KKK në marrëveshje me MAShT.

Ministri Bajrami foli edhe për migrimin e nxënësve dhe shqetësimet që vijnë nga vendimi për të kërkuar diku tjetër shpresën për jetë më të mirë. "Migrimi nuk është zgjidhje. Kosova si shtet i ri ka mundësi dhe kapacitetet për të krijuar një arsim cilësor. Arsimi cilësor krijon familje të forta, shoqëri të zhvilluar dhe ne jemi të vendosur që gjatë këtij mandati të investojmë në shkollat tona, në mënyrë që ato të jenë institucione të mirëfillta të edukimit dhe arsimit, por edhe institucione të krijimit të personalitetit të fëmijëve. Kosova ka kapacitete për t'i plotësuar kërkesat e të rinjve dhe për t'i plotësuar ëndrrat e tyre për të ardhmen në këtë vend".

Më pas, ministri Bajrami vizitoi edhe nxënësit e shkollës "Ismail Luma" në Lipjan dhe ata të Gjimnazit "Kuvendi i Arbërit" në Ferizaj, me të cilët po ashtu bisedoi për tema që i preokupojnë dhe i shqetësojnë nxënësit.

Ministri Bajrami premtoi angazhim maksimal në mënyrë që nxënësit ta kenë më të lehtë mësimnxënien, ndërsa i ftoi ata që të jenë sa më të mirë në mësime dhe të jenë bashkëpunëtorët më të ngushtë në synimin për ngritje të cilësisë në arsim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat