Veseli: 20 vite më parë bota u trondit nga regjimi i Millosheviqit

Kosova

Veseli: 20 vite më parë bota u trondit nga regjimi i Millosheviqit

Më: 9 korrik 2015 Në ora: 11:07

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka shkruar në Facebook se sot Kuvendi mbajti një minutë heshtje në nderim të viktimave të masakrës së Srebrenicës. Sipas Veselit ‘krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Milosheviqit’ që tri vite më vonë u rishfaq në Kosovë.

Ndryshe Veseli gjatë seancës në Kuvend bëri edhe këtë postim në facebook.

Shkrimi i tij i plotë:

Sot, Kuvendi i Republikës së Kosovës mbajti një minutë heshtje në shenjë të nderimit për viktimat e Masakrës së Srebrenicës, e cila ndodhi njëzet vite më parë, gjatë Luftës së Bosnjës.
Në fjalën time të rastit, theksova se 20 vite më parë, në verën përvëluese të vitit 1995, në qytetin Srebrenica të Bosnjës, u bë krimi më i madh në Evropë, që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, e njohur si Masakra e Srebrenicës.

Brenda dy ditësh, mbi 8000 burra u masakruan barbarisht nga njësitë ushtarake të gjeneralëve të Milosheviqit.

Mijëra familje u shkatërruan përgjithmonë.

Një qytet që datonte prej kohës romake u zhbë brenda pak orësh.

Fjalët “gjenocid” e “spastrim etnik” sërish njollosën ndërgjegjen njerëzore. Bota u trondit.
Krimi në Srebrenicë shfaqi natyrën e vërtetë të regjimit të Milosheviqit, që vetëm tre vite më vonë, me të njëjtën barbari u rishfaq në fshatrat dhe qytetet e Kosovës.

20 vite pas krimit në Srebrenicë, e 16 vite pas krimeve të bëra në Prekaz, Izbicë, Suharekë, Mejë, Gjakovë, e vende të tjera të Kosovës, drejtësia nuk është përmbushur akoma. Është e domosdoshme që drejtësia të vihet në vend, sepse krimet e padënuara ndjellin kobe të reja./BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat