Kërkohet llogaridhënie nga shteti për shkeljen e të drejtave të njeriut - Bota Sot
Kërkohet llogaridhënie nga shteti për shkeljen e të drejtave të njeriut

Kosova

Kërkohet llogaridhënie nga shteti për shkeljen e të drejtave të njeriut

Më: 7 shtator 2015 Në ora: 07:50

Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” nëpërmjet Iniciativës Strategjike Gjyqësore kërkon drejtësi për qytetarët e Kosovës kur të drejtat e tyre shkelen nga institucionet e sistemit të drejtësisë.

Me datën 7 shtator, 2015 është caktuar seancë gjyqësore për të shqyrtuar nëse ishin shkelur të drejtat e fotoreporterit Vedat Xhymshiti, i cili u godit në mënyrë brutale nga pjesëtari i policisë së Kosovës.

Me këtë rast pas përfundimit të seancës Kampanja ”Drejtësia dhe Qytetarët” do të organizojë një konferencë për shtyp.

Kampanja Drejtësia dhe Qytetarët 3 vite me parë ka ngritur padi në Gjykatën Komunale të Prishtinës në emër të gazetarit Vedat Xhymshiti kundër Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kosovës.

Xhymshiti pësoi një shkelje të të drejtave themelore të njeriut, kur ai u rrah brutalisht nga një anëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa mbulonte protestat tek “Dheu i Bardhë” më 14 janar 2012.

Përmes kësaj padie, është kërkuar që të konstatohet nëse janë shkelur një mori të drejtash individuale të njeriut të garantuara me Kushtetutë, si dhe të bëhet kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga kjo shkelje.

Kampanja “Drejtësia dhe Qytetarët” fton të gjithë përfaqësuesit e interesuar të mediave të përcjellin këtë seancë dhe të jenë pjesë e konferencës për shtyp. Z. Artan Qerkini nga shoqëria e avokatëve Sejdiu & Qerkini do ti drejtohet mediave në këtë Konferencë Shtypi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...