A është Kosova e gatshme të pranojë refugjatë? Ja si përgjigjet MPB-ja! - Bota Sot
A është Kosova e gatshme të pranojë refugjatë? Ja si përgjigjet MPB-ja!

Kosova

A është Kosova e gatshme të pranojë refugjatë? Ja si përgjigjet MPB-ja!

Më: 8 shtator 2015 Në ora: 12:01

Pamjet e tmerrshme të refugjatëve nga Lindja e Mesme, të cilët po mësyjnë Evropën për një jetë më të mirë, kanë bërë që edhe kosovarët ta hapin zemrën e tyre për t’i pranuar këta refugjatë në shtëpitë e tyre.

E përderisa qytetarët shprehin gatishmëri për një gjë të tillë, institucionet qeverisëse në Kosovë ende nuk kanë dhënë ndonjë sinjal për pritje të refugjatëve.

Madje, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), dikasteri nën tutelën e së cilës është Qendra për Azil në Lipjan, nuk ka informata se sa është numri i azilkërkuesve që mund të strehohen në këtë qendër, në rast se do të kërkohej një gjë e tillë.

Gjithashtu, nga kjo ministri, nuk kanë informata se sa mund t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, strehimi i një azilkërkuesi, transmeton Telegrafi.

Ditë më parë, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’I pranojë 3 mijë refugjatë sirianë.

Lidhur me këtë në pyetjen e dërguar nga Telegrafi, se sa është numri i azilkërkuesve që mund t’i përballojë qendra e azilit në Lipjan, zyrtarwt e MPB-së janë përgjigjur se: “nuk është në mandatin e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) që të deklarohet për iniciativat ose prononcimet e Presidentes, andaj kërkoni sqarime tek zyra e Presidentes”.

Arbër Vllahiu, zëdhënës i Presidentes së Kosovës, ka thënë se Presidentja Jahjaga çështjen e refugjatëve e ka biseduar ditë më parë me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Arban Abrashi, dhe sipas Vllahiut, shefja e shtetit ka kërkuar që të shqyrtohen dhe vlerësohen mundësitë dhe kapacitetet nëse Kosova është e gatshme që të solidarizohet me strehim të refugjatëve të ikur nga lufta në Siri.

Vllahiu ka theksuar se Presidentja Jahjaga ka kërkuar që të bëhen vlerësimet marrë parasysh edhe kufizimet si dhe resurset që ka vendi ynë.

“Pas konsultave me faktorin ndërkombëtar në Kosovë dhe njëkohësisht edhe duke marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të Kosovës, për t'ju dal në ndihmë refugjatëve”, ka shtuar Vllahiu.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli kishte folur për gjendjen e rëndë të refugjatëve sirianë, duke thënë se askush më mirë se Kosova nuk e kupton dhimbjen e braktisjes së atdheut.

Ai tha se është momenti që me aq sa kemi mundësi të bëhemi pjesë e solidaritetit me njerëz të vuajtur.

Ndryshe, sipas të dhënave të cilat i posedon Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), nga 1 janari i këtij viti e deri më tani në Kosovë, kanë kërkuar azil 52 persona të huaj: 40 janë nga Siria, 6 nga Iraku dhe 2 nga Palestina.

Sipas zyrtarëve të MPB-së, emigrantët janë të vendosur në Qendrën për Azilkërkues në Magure (Lipjan), e cila funksionon në kuadër të Departamentit për Shtetësi, Azil dhe Migracion në MPB.

Sipas zyrtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), numri i atyre që kanë kërkuar azil në Kosovë që kanë origjinë shqiptare, është rreth 30 persona.

Sekretari i BIK-ut, Resul Rexhepi, kishte thënë për Telegrafin nuk është se kanë ndonjë statistikë të saktë, se sa prej atyre që njihen si arnautët e Sirisë, janë vendosur në Kosovë.

Rexhepi ka shtuar se emigrantët nga Siria nuk janë në një gjendje të lakmueshme, sepse ballafaqohen me probleme të vendbanimit dhe ushqimit.

“Shoqata ‘Bereqeti’, e cila funksionon në kuadër të BIK-ut, ka bërë përpjekje t’iu dal në ndihmë me ushqime dhe veshmbathje, mirëpo më tepër nuk ka patur mundësi. Me aq sa kemi informata disa qytetarë të vullnetit të mirë, ju kanë ofruar edhe strehim bashkëkombësve të tyre”, pati theksuar Rexepi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...