Rrushi fut në sherr Ministritë e Bujqësisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Kosova

Rrushi fut në sherr Ministritë e Bujqësisë së Kosovës dhe Shqipërisë

Më: 12 shtator 2015 Në ora: 12:39

Rrushi fut në sherr Ministrinë e Bujqësisë së Kosovës me atë të Shqipërisë. Të dy institucionet kanë shkëmbyer debate në distancë, ndërsa shkak është bërë deklarata e ministrit të Bujqësisë së Kosovës Memli Krasniqi, i cili akuzon palën shqiptare për vënien sërish të barrierave doganore. Krasniqi shprehet se prodhuesit kosovar e kanë shumë të vështirë të fusin mallin e tyre drejt Shqipërisë. Sipas tij autoritetet kosovare aplikojnë procedura krejtësisht të ndryshme, që lehtësojnë hyrjen e produkteve shqiptare ne Kosovë.

“Ne blejmë rrush në Shqipëri pa asnjë problem. Kemi lehtësuar shume punën duke ua dërguar inspektorët në Morinë dhe këta te fundit ndonjëherë tolerojnë edhe mungesën e kritereve apo kushtet e domosdoshme që duhet të plotësojnë mjetet e transportit”, deklaroi Krasniqi.

Në një reagim ministria e Bujqësisë hodhi poshtë akuzat e ministrit kosovar. Sipas këtij institucioni, nuk është bllokuar asnjë tregtar në doganë ndërkohë që po punohet për lehtësimin e procedurave për kalimin e të gjitha produkteve kosovare drejt tregut shqiptar.

“Duke marrë shkas nga një shkrim i botuar në një media kosovare, Ministria e Bujqësisë nëpërmjet ekspertëve AKU-së në pikat kufitare me Kosovën, siguron opinionin publik se nuk ka asnjë sinjalizim për bllokim mallrash, specifikisht rrushit. Dy ditë më parë në takimin dypalësh zhvilluar në Tiranë, ministrat e Bujqësisë të të dyja vendeve kanë dakordësuar për njehsimin e procedurave, dokumentacionit dhe referencave për një lëvizje sa më të shpejtë të mallrave në të dyja anët e kufirit”, thuhet në reagimin e ministrisë shqiptare të Bujqësisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat