VV: Dënimi i Ivanoviqit me vetëm 9 vjet - poshtërim për drejtësinë - Bota Sot
VV: Dënimi i Ivanoviqit me vetëm 9 vjet - poshtërim për drejtësinë

Kosova

VV: Dënimi i Ivanoviqit me vetëm 9 vjet - poshtërim për drejtësinë

Më: 21 janar 2016 Në ora: 19:27

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas dënimit të Oliver Ivanoviqit me nëntë vjet burg për krime lufte nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

Në reagimin e Vetëvendosjes thuhet se drejtësisë me komponent ndërkombëtare i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës.

"Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë - kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit - vrit dhe dëbo.

Shpallja e aktgjykimit ndaj Oliver Ivanoviqit shpërfaq edhe njëherë padrejtësinë ndërkombëtare. Me 9 vite burgim ndaj krimeve të kryera nga Ivanoviqit dhe shokët e tij është pasqyra më e mirë e (pa)drejtësisë e cila është duke e gjykuar popullin shqiptar për më tepër se një shekull. Të shqiptosh dënimin me burgim prej një kohëzgjatje prej 9 vitesh për krime të tilla, është treguesi më i mirë se sa është i gatshëm EULEX-i me komponent të tij ta mbrojë drejtësinë që ka karakter ndërkombëtar. Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit.

Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar.

Me dhjetëra dëshmitarë e prova materiale, gjyqtarëve të trupit gjykues nuk iu mjaftuan që të tregojnë barrën e vërtetë të Oliver Ivanoviqit i cili me veprimet e tij konkrete dhe me urdhrat e dhënë ka shkaktuar vrasjen 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë. Ky trup gjykues e tregon standardin e shumëfishtë, ku për pjesëtarët e UÇK-së i mjaftojnë dëshmitë njëburimore, ndërkaq për gjykimin e kriminelëve të kalibrit të Oliver Ivanoviqit mjaftohen me shqiptimin e një dënimi i cili në vete paraqet poshtërimin më të ultë ndaj të gjitha viktimave që kanë pësuar nga veprimet e grupit të Ivanoviqit.

Ky grup do të duhej të ishte përgjegjës jo vetëm për krimet e kryera ndaj popullsisë civile, por veprimet e tyre në mënyrë tipike paraqesin elementet e veprave penale të gjenocidit dhe krimit kundër njerëzimit. E sigurisht që ata duhet të mbajnë përgjegjësinë edhe për trajtimin dhe zhdukjen e qindra robërve të luftës të cilët edhe në ditët e sotit nuk janë gjetur.

Përkundër padrejtësisë të vazhdueshme me të cilat ballafaqohen qytetarët, krimet e llojit të grupit të Ivanoviqit nuk parashkruhen asnjëherë. Për këtë popullit të Kosovës i mbetet që në një shtet të së drejtës ta mundësojë ndjekjen dhe gjykimin e të gjithë kriminelëve të luftës që ishin të komanduar drejtpërdrejt nga shteti i Serbisë", thuhet në komunikatën e Vetëvendosjes./A.M

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...