Zbriten çmimet për ngrohje në Prishtinë, por jo edhe për Gjakovë

Kosova

Zbriten çmimet për ngrohje në Prishtinë, por jo edhe për Gjakovë

Më: 14 tetor 2016 Në ora: 16:52
Ilustrim

Bordi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), sot ka aprovuar tarifat e reja të energjisë termike për Ngrohtoren e Qytetit Termokos për sezonin e ngrohjes 2016/17.

“Tarifat e reja për konsumatorët e amvisërisë do të jenë për 7% më të ulëta se ato të sezonit të kaluar. Ndërsa tarifat për konsumatorët komercial do të jenë mesatarisht 5% më të ulëta. Gjithashtu Bordi i ZRRE me kërkesë të ngrohtores së qytetit të Gjakovës, NQ Gjakova, ka vendosur që tarifat e kësaj ndërmarrje të mbesin të njëjta me ato të vitit të kaluar”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ZRRE.

Po ashtu në mbledhjen e sotme, Bordi ka aprovuar edhe rregullën për ndërrimin e furnizuesit.

Aprovimi i kësaj rregulle është konsideruar një hap shumë i rëndësishme për hapjen e tregut të energjisë elektrike në vend. Në vijim të angazhimeve për hapjen e tregut të energjisë elektrike, Bordi i ZRRE ka shqyrtuar dhe ka aprovuar po ashtu kërkesën e ndërmarrjes “HEP – KS” SH.P.K për Licencim të aktiviteteve të furnizimit me energji elektrike.

Në këtë mbledhje gjithashtu është licencuar edhe ndërmarrja “ENERGY FINANCING GROUP AD” me degë në Kosovë, për furnizim me shumicë (tregtim) të energjisë elektrike.

“Bordi i ZRRE-së edhe më tutje mbetet i përkushtuar në arritjen e synimeve të tij për krijimin e një tregu funksional të energjisë elektrike, me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira dhe konkurruese për të gjithë konsumatorët e energjisë në vend”, thuhet në fund të komunikatës./BS/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat