Mbeturinat, për një vit janë mbledhur 329.369 tonë

Kosova

Mbeturinat, për një vit janë mbledhur 329.369 tonë

Më: 29 tetor 2016 Në ora: 12:43
Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e anketës së mbeturinave të trajtuara për vitin 2015, sipas së cilit sasia e mbeturinave të grumbulluara në deponitë e Kosovës është 329.369 tonë.

ASK thotë se qëllimi kryesor për realizimin e kësaj ankete ka qenë grumbullimi i të dhënave statistikore nga kompanitë, që merren me menaxhimin e mbeturinave të trajtuara, si dhe të sigurojë të dhëna statistikore të qëndrueshme dhe të krijojë seritë kohore.

“Rezultatet e kësaj ankete tregojnë se mbeturinat e gjeneruara nga kompanitë, që e bëjnë riciklimin e mbeturinave janë: Inputi gjithsej 19 107 tonë, ose 34%; outputi gjithsej 19 090 tonë, ose 34%, eksporti gjithsej 16 791 tonë ose 29%; Mbeturinat e trajtuara në vend, gjithsej 1 799 tonë, ose 3%”, thuhet në anketën e ASK-së.

Sipas ASK-së, si mbeturina, që grumbullohen nga kompanitë, që merren me riciklim të mbeturinave, dhe pastaj që eksportohen, përqindjen më të lartë e kanë metali dhe plastika, ku metali është 85.6% dhe plastika 13.6%.

Sasia e mbeturinave të grumbulluara në deponitë e Kosovës sipas AMT 2015 është 329 369 tonë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat