Një lajm i mirë për pensionistët nga Kosova që kanë punuar në Zvicër

Kosova

Një lajm i mirë për pensionistët nga Kosova që kanë punuar në Zvicër

Më: 16 nëntor 2016 Në ora: 11:48
Foto ilustrim pensionistet

(E plotësuar) - Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi bëri të ditur se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje me Zvicrën lidhur me pensionet e qytetarëve të Kosovës.

Abrashi duke raportuar para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale tha se që nga marrja e mandatit si ministër, kjo çështje ka qenë prioritet dhe se pret që shpejt të arrihet një marrëveshje me shtetin e Zvicrës, që ka të bëjë me pensionet e qytetarëve kosovarë që kanë punuar atje.   

Abrashi: Presim të bëjmë së shpejti marrëveshje me Zvicrën

“ Kemi nënshkruar pilot marrëveshjen në fillim të këtij viti. Pilot marrëveshje nënkupton testimin e shërbimeve tona, karshi kërkesave të shtetit Zviceran për disa muaj dhe kjo marrëveshje ky testim, kjo periudhë provuese, ka rezultuar e suksesshme në fund të periudhës së caktuar. Ne kemi marrë lajmin se departamenti  përkatës, do të dorëzoj në Qeveri miratimin për hapjen rrugë për marrëveshjen bilaterale në fushën e sigurimeve shoqërore në Zvicer, pasi që pilot marrëveshja ka pasur sukses....Sot në qeverinë zviceranë ka kaluar vendimi që autorizon departamentin përkatës, që të filloj dhe t’i  mbarojë negociatat me shtetin e Kosovës dhe ky është një lajm i mirë për të gjithë. Por kjo është vetëm hapje e rrugës. E mira e të gjithë kësaj është s enjë pjesë të madhe të punës e kemi bërë me pilot marrëveshje dhe nuk shohim shumë pengesa...Testimi është bërë, pilot marrëveshja është bërë. Është kryer me sukses. Presim formalisht negociatat dhe me kry në afat rekord. Ky është një lajm i mirë për gjithë diasporën tonë në Zvicër, por dhe në shumë vende tjera”, tha Abrashi.

Por kryetarja e komisionit Flora Brovina tha se kanë pritur më shumë nga ministri Abrashi, i cili kishte deklaruar se prioritet kishte zgjidhjen e kësaj çështje.

Brovina: Ky problem është zgjatur shumë

“Ky problem zoti ministër për mua si deputetja më e vjetër është shumë i gjatë. Në çdo mandat e kemi shqyrtuar këtë çështje, madje edhe me sindikatat në Zvicër, të cilat janë shumë aktive dhe me detaje na kanë shpjeguar në vazhdim të gjitha në bazë të mandateve të Komisionit për Punë dhe Mirëqenie sociale. Marrëveshja nuk është nënshkruar. Në takim që kam pasur në fillim të mandatit tim me ish ambasadoren e Zvicrës, unë i theksova qartë si kryetare e komisionit, se madje këtë çështje e quaj dhe shkelje e të drejtave të njeriut. ..Ku është problemi pse deri tash nuk është zgjidh kjo çështje. Shpresat tona dhe të këtij komisioni kanë qenë shumë të mëdha kur ju erdhët ministër. Sepse keni treguar sensibilitet që mund të zgjidhen këto probleme”, tha Brovina.

Osman Osmani përfaqësuesi i sindikatës së pensionistëve  që marrin pensionet nga Zvicra tha se  mosarritja e marrëveshjes, paraqet diskriminim të pashembullt selektiv.

Osmani: Marrëveshja duhet të ratifikohet në dy Parlamentet  

“Edhe në komunikatën e sotme të Qeverisë federale të Zvicrës është shënuar qartë, se atë marrëveshje të arritur të re, duhet të ratifikohet nga dy Parlamentet. Duhet të jetë vullneti i parlamentarëve të dy parlamenteve. Shpresojmë që do të bëhet mirë. Ne do të angazhohemi dhe me lobimin politik atje, që të arrihet diçka e tillë. Ajo çka na preokupon që kemi problem të përhershëm, se çka do të ndodh me të prekurit me mijëra vet, që janë kthyer para se me u prish marrëveshja në Kosovë“, tha ai.

Ndërsa anëtari i komisionit nga radhët e AAK-së Ali Berisha tha se ka pasur vonesa të mëdha, në fillimin e negocimit të kësaj marrëveshje me shtetin e Zvicrës.

Berisha: Kemi pasur vonesa për negocim të marrëveshjes

“Kemi pasur vonesa të mëdha me aprovimin apo fillimin e negocimit të një marrëveshje të re ne Zvicrën. Është fakt që është lajm i mirë, që sot qeveria federale e Zvicrës ka aprovuar vendimin për fillimin e negocimit të marrëveshjes. Por kjo nuk do të thotë që automatikisht do të jenë përfitues apo nënshkrues të një marrëveshje të tillë, pasi që  nga Kosova nevojitet një punë e madhe drejtë plotësimit të kritereve për marrëveshje”, tha ai.

Ndërkaq Besa Baftia anëtare e komisionit nga radhët e VV-së tha se Qeveria e  Kosovës,  është dashur të merret seriozisht me këtë çështje, pasi që qytetarët e vendit kanë qenë të diskriminuar nga shteti zviceran, po ashtu dhe nga ai i Kosovës.

Qeveria e Zvicerane, më 1 prill të vitit 2010, kishte ndërprerë marrëveshjen e ish Jugosllavisë në raport me Kosovën, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Pas këtij vendimi, shumë shtetas kosovarë që kanë punuar me vite në Zvicër, por që janë kthyer për të kaluar pleqërinë në Kosovë, nuk mund ta shfrytëzonin pensionin.

***

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, ka informuar përmes Facebook-ut se Qeveria Zvicerane ka hapur rrugën për marrëveshje për pensionistët nga Kosova të cilët kanë punuar në Zvicër.

“Lajme të mira nga Zvicra. Qeveria Zvicerane hapi rrugën për marrëveshje në fushën e pensioneve”, shkruan Abrashi në Faecbook.

Qeveria e Zvicerane, më 1 prill të vitit 2010, kishte ndërprerë marrëveshjen e ish Jugosllavisë në raport me Kosovën, në fushën e sigurimeve shoqërore.

Pas këtij vendimi, shumë shtetas kosovarë që kanë punuar me vite në Zvicër, por që janë kthyer për të kaluar pleqërinë në Kosovë, nuk mund ta shfrytëzonin pensionin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat