KQZ shtyn afatin për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në Drenas

Kosova

KQZ shtyn afatin për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet në Drenas

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 14:22
Ilustrim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nëpërmes një komunikate për media njofton se ka pranuar kërkesën nga ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar i akredituar në Kosovë, Ruairi O’Connell, e shkruar edhe në emër të përfaqësuesve të katër shteteve mike të Republikës së Kosovës.

Bazuar në këtë kërkesë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka marrë vendim që të shtyjë deri ditën e shtunë afatin për aplikim për akreditim të vëzhguesve ndërkombëtarë për të vëzhguar zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit (Gllogocit) që do të mbahen më 4 dhjetor, konform dispozitave ligjore për rolin e vëzhguesve të zgjedhjeve. 

“Kurse, lidhur me kërkesën specifike, KQZ-ja, duke u mbështetur edhe në ligjet në fuqi, njofton se nuk ka pasur asnjë pengesë që këtë proces, ndonëse i jashtëzakonshëm, ta implementojë deri në fund me sukses të plotë”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Gjithashtu, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si institucion i pavarur i përcaktuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nuk ndërhyn në çështjet politike nga cilido drejtim që ato mund të shfaqen dhe as në problemet e sigurisë. Janë institucionet e caktuara të vendit, që kanë përgjegjësitë e ndara, përfshirë edhe gjatë zgjedhjeve.

KQZ njofton se ka arritur shkallë të lartë mobilizimi në përgatitjet dhe implementimin e proceseve zgjedhore, ngjashëm edhe lidhur me procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit (Gllogocit).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat