Dëmtohen billbordat e Elmi Thaçit në Drenas, reagon AKR

Kosova

Dëmtohen billbordat e Elmi Thaçit në Drenas, reagon AKR

Më: 1 dhjetor 2016 Në ora: 14:31
Billbordat e dëmtuar të Elmi Thaçit në Drenas

Aleanca Kosova e Re ka reaguar për dëmtimin e billbordave të Elmi Thaçit, kandidatit të kësaj partie për kryetar të Drenasit gjatë mbrëmjes së të mëmrkurës.

Në një kumtesë të partisë që drejtohet nga Behgjet Pacolli thuhet se “njerëzit që janë mësuar që me dhunë, shantazhe dhe presione ta orientojnë vullnetin e qytetarëve të Drenasit, duhet ta dinë se tashmë ka ardhur fundi.”

“Ne e kuptojmë frustrimin e disa individëve që e kanë ngulfatur ardhmërinë e qytetarëve të ndershëm të Drenasit, ngase janë të vetëdijshëm për mbështetjen e madhe që qytetarët po i japin programit për zhvillim ekonomik dhe punësim të AKR-së.”

“AKR i garanton qytetarët e Drenasit se nuk ka asnjë forcë e cila mund ta ndalë fitoren dhe zhvillimin ekonomik të Drenasit.  AKR është e vendosur që të jetë në krah të qytetarëve, tu shërbejë qytetarëve pa marrë parasysh veprimet e disa banditëve”.

Kjo parti iu ka bërë thirrje organeve të rendit, policisë dhe prokurorisë që t`i arrestojnë “banditët që nëpërmjet akteve të tilla qyqare, po tentojnë ta mbajnë peng të ardhmen e qytetarëve të Drenasit”.

“Gjithashtu, u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mos bien viktimë e dhunës psikologjike të pushtetarëve që i shantazhojnë ata për të mos marrë pjesë në tubimet elektorale të AKR-së”.

“AKR fton gjithë qytetarët e Drenasit që të dielën me 4 dhjetor të dalin masivisht në zgjedhje dhe të votojnë Elmi Thaçin për kryetar”, thuhet mes tjerash në reagim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat