BE dhe UNDP rinovojnë pikat e trashëgimisë kulturore në Kamenicë

Kosova

BE dhe UNDP rinovojnë pikat e trashëgimisë kulturore në Kamenicë

Më: 2 dhjetor 2016 Në ora: 16:40
Ceremonia

Në prani të zyrtarëve të nivelit më të lartë të Bashkimit Evropian, Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, atyre komunal, udhëheqësve fetarë dhe rreth 200 të ftuarve, shumë prej tyre qytetarë të Kamenicës, u shënua përfundimi i punimeve të restaurimit dhe rehabilitimit të pikave të trashëgimisë kulturore të implementuara nga projekti i UNDP-së "Ndërtimi i Besimit Përmes Mbrojtjes Kulturore" të financuar nga zyra e Bashkësisë Evropiane në Kosovë.

Ceremonia e prerjes së shiritit u zhvillua në parkun e renovuar të qytetit ku Nataliya Apostolova, Shefe e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e e BE-së në Kosovë, Andrew Russell, Koordinator i OKB-së për Zhvillim dhe Përfaqësues i Përhershëm i UNDP-së në Kosovë, dhe Begzad Sinani, kryetar i Komunës së Kamenicës bënë hapjen zyrtare të parkut.

Z. Begzad Sinani, përshëndeti të gjithë mysafirët duke theksuar se këto punime ishin rezultat i punës së përbashkët që mblodhi qytetarët dhe komunitetet fetare të Kamenicës. "Unë dua të falënderoj BE-në dhe UNDP-në me të cilët kemi pasur një bashkëpunim shumë të suksesshëm. Rezultatet flasin vet.”

Znj. Apostolova theksoi se është shumë e lumtur që merr pjesë në shënimin e përfundimit të një projekti të BE-së i cili rindërtoi për qytetarët e Kamenicës objektet e vlefshme dhe të rëndësishme të trashëgimisë kulturore. "Qëllimi është të ndërtohet besimi mes komuniteteve të ndryshme përmes mbrojtjes së objekteve kulturore me rëndësi për të gjithë qytetarët. Përmes partnerit tonë implementues, UNDP, ky projekt i BE-së ka dhënë mjete për bashkëpunim në mes të komuniteteve në Kamenicë për mbrojtjen dhe promovimin e vendeve që përfaqësojnë pika të vlefshme dhe të ndryshme të trashëgimisë kulturore", tha Apostolova. Ajo gjithashtu shtoi se respektimi i diversitetit kulturor dhe trashëgimisë së të gjitha komuniteteve në Kosovë është element i rëndësishëm i një shoqërie shumëetnike dhe Kamenica mund të jep një shembull pozitiv për pjesën tjetër të Kosovës.

Andrew Russell, falënderoi komunën për vullnetin e tyre të mirë e gjithashtu edhe BE-në dhe bashkësitë fetare që kanë besuar në këtë projekt. "Është kënaqësi të punosh në partneritet me BE-në në projektin "Ndërtimi i besimit përmes mbrojtjes kulturore". UNDP ka një përvojë të gjatë në hartimin dhe implementimin e projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore në një kontekst më të gjërë programor për ndërtimin e paqes dhe parandalimin e konflikteve. Puna jonë e përbashkët është një testament i vërtetë për punën e madhe dhe përkushtimin e komunave dhe të të gjitha komuniteteve për të siguruar që mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë së pasur dhe të larmishme kulturore të Kosovës është një përgjegjësi e përbashkët", përfundoi Russell.

Në emër të Kishës Ortodokse Serbe në Kamenicë, prifti Dragisa Jerinic iu drejtua mysafirëve duke theksuar se është e rëndësishme për të treguar se njerëzit këtu mund të jetojnë së bashku dhe jo vetëm pranë njëri-tjetrit. "Dua të falënderoj BE-në dhe UNDP-në që vendosën ta implementojnë projektin këtu dhe komunën që mundësoi përfundimin me sukses të projektit. Ne gjithmonë do të mirëpresim projektet e ardhshme dhe do të punojnë së bashku për të promovuar kulturën tonë dhe respektojnë kulturën e komuniteteve të tjera", tha prifti Jerinic.

Imam Bejtullah Hasani, Kryetar i Bashkësisë Islame të Kamenicës tha se pikat e renovuara nuk janë vetëm objekte fetare, por edhe të trashëgimisë kulturore që reflektojnë paqe dhe prosperitet. "Kjo nismë ka treguar të gjithëve se misioni ynë i përbashkët është toleranca dhe harmonia".

Pas ceremonisë në Parkun e qytetit, të ftuarit vizituan edhe xhaminë Haxhi Gani Sermaxhaj dhe oborrin e kishës ortodokse serbe të Shën Nikollës në të cilën gjithashtu janë kryer punimet.

Projekti Ndërtimi i besimit përmes mbrojtjes kulturore përqëndrohet në rinovimin, zbukurimin dhe rehabilitimin e trashëgimisë kulturore dhe fetare në Kosovë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me EULEX-in dhe njësinë e Policisë së Kosovës për sigurimin e ndërtesave dhe trashëgimisë kulturore. Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të kontribuojë në përmirësimin e tolerancës ndëretnike dhe respektin për identitetin kulturor dhe të trashëgimisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat