“Demokracia në Veprim” kritikon prezencën e fëmijëve në fushatën e Drenasit

Kosova

“Demokracia në Veprim” kritikon prezencën e fëmijëve në fushatën e Drenasit

Më: 3 dhjetor 2016 Në ora: 07:35
Ilustrim

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen në Drenas të dielën, gjithçka është gati.

Kështu ka deklaruar Milaim Morina nga organizata jo-qeveritare “Demokracia në Veprim”, i cili tha se fushata parazgjedhore në këtë komunë ka pasur mbarëvajtje.

“Situata ka qenë e qetë dhe ka shkuar pa asnjë incident. Ka pasur një numër të madh të elektoratit të interesuar në këto zgjedhje. Tensione nuk ka pasur dhe partitë kanë përdorur fjalor brenda standardit politik dhe nuk kanë fyer njëri tjetrin”.

Morina tha se materialet për votim janë gati dhe se të gjitha qendrat ku qytetarët e Drenasit do ta hedhin votën, do të përgatiten gjatë ditës së diele.

“Nuk kemi asnjë informatë se diçka mungon dhe nesër presim t’i pranojmë të gjitha materialet. Qendrat e votimit do të përgatiten nga menaxherët e shkollave dhe gjithçka pritet të jetë gati për të dielën”.

Të vetmet parregullsi që ai ka cekur gjatë këtij procesi zgjedhor, janë se në fushata ka pasur prezencë të madhe të fëmijëve dhe po ashtu, sipas tij, janë dhënë premtime të mëdha të cilat vështirë se do të realizohen.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat