Në “Rexhep Kadrijaj” të Rastavicës vendosën kamerat e sigurisë

Kosova

Në “Rexhep Kadrijaj” të Rastavicës vendosën kamerat e sigurisë

Nga: Adem Lushaj Më: 8 dhjetor 2016 Në ora: 22:28
Shkolla “Rexhep Kadrijaj”

Ndërprerja e mësimit, mungesat e shumta, rezultatet e dobëta në mësim nxënie të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptian, ishin disa nga shqetësimit e ngritura në takimin e rregullt të Këshillit të shkollës “Rexhep Kadrijaj” në Rastavicë të Deçanit, me ç’rast janë trajtuar edhe çështje tjera me rëndësi për procesin mësimor, në këtë kontekst edhe për sigurinë në shkollë. Në këtë takim, drejtori i kësaj shkolle Blerim Selmonaj, ka prezantuar edhe raportin financiar, që sipas anëtarëve të këtij Këshilli, pos një detyrimi ligjor, vlerësohet si shembull të cilin duhet ndjekur edhe shkollat tjera të kësaj komune. Fillimisht, anëtarët e këtij Këshilli, ia kishin vazhduar mandatin e të qenit si kryesues, Zenel Kadrijaj, pasi që kishin vlerësuar pozitivisht angazhimin e deritashëm të tij.

Sipas drejtorit Selmonaj, edhe pse buxheti nuk është në masën që do plotëson nevojat e shkollës për një mësimdhënie dhe mësimnxënie edhe më të lartë, prapë se prapë është arritur që të plotësohen disa nga kushte më të domosdoshme për punë efektive të nxënësve dhe mësimdhënësve. “Fatbardhësisht objekti i shkollës është i ri, ngase kishim investim të MASHT, ndaj edhe nuk kemi nevojë për investime në infrastrukturë, por nga buxheti i shkollës janë realizuar projekte që ndikojnë dukshëm në mbarëvajtjen e procesit mësimor”, iu ka thënë të pranishmëve Selmonaj, duke treguar se nuk është aq i kënaqur me realizmin e punimeve në ndërtimin e objektit të shkollës, e sidomos në palestrën sportive.

Gjithnjë sipas tij, për shkaqe të mbajtjes në vëzhgim të hapësirave shkollore, qoftë edhe për siguri më të madhe, vendosja e kamerave ishte vënë si prioritet, sikurse edhe shtimi i numrit të librave për bibliotekën shkollore. “Përkrahja e marr nga komuniteti, përkatësisht Fondi i komunitetit të fshatit Rastavicë, ka bërë që të plotësohen shumë nevoja të kësaj shkolle, ndaj edhe iu jemi mirënjohës për ndihmën e dhënë”, ishte shprehur Selmanaj, i cili ka prezantuar në detaje gjitha shpenzimet e bëra për krijim të kushteve më të mira për punë të nxënësve dhe mësimdhënësve të këtushëm.  

Ndërkaq, kryesuesi i këtij Këshilli i emëruar nga përfaqësuesit e prindërve, ka thënë se duhet shikuar gjitha mundësit e bashkëpunimit institucional dhe komunitet, që fëmijët minoritar që gravitojnë në këtë shkollë, mos të mbesin pa arsimim të duhur, qoftë edhe me mbajtje të ndonjë takime me përfaqësues të këtyre komuniteteve. “Duhet gjetur mundësi që këta nxënës mos të mungojnë, e as të ndërpresin mësimet, por të stimulohen për rezultate sa më të mira në mësimnxënie”, ka thënë Kadrijaj, duke inkurajuar stafin punues të shkollës, që kontaktojnë edhe me organizata ndërkombëtare për realizim të ndonjë projekti që do ishte shtytës për vijim të mësimeve nga nxënësit e komuniteteve RAE. Kadrijaj kaka kërkuar që të merren gjitha masat e duhura pedagogjike dhe ligjore, që siguria në shkollë të jetë në shkallën më të lartë, ngase po ka raste që ndodhin, ku pjesë apo viktimë janë vetë nxënësit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat