Lladrovci: Nisma më nuk ekziston, ja si forca e bën fuqinë

Kosova

Lladrovci: Nisma më nuk ekziston, ja si forca e bën fuqinë

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 08:21
Ramiz Lladrovci

(E plotësuar) - Komisioni Qendror Zgjedhor në konferencën e fundit shpallën rezultatet preliminare të raundit të dytë të zgjedhjeve në komunën e Drenasit .

Në bazë të të dhënave që ka grumbulluar KQZ-ja Ramiz Lladrovci merr timonin e komunës së Drenasit.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se në bazë të të dhënave nga qendrat e votimit ka pasur 52 mijë e 569 votues të regjistruar, ndërsa numri i vendvotimeve ishte 72 prej ku edhe janë marrë të dhënat nga këto 72 vendvotime. Sa i përket numrit të nënshkrimeve Daka tregoi se kishte arritur në 23 mijë e 438, ndërsa numri i fletëvotimeve të vlefshme ishte 22 mijë e 718, kurse numri i fletëvotimeve të pavlefshme ishte 581.

Përqindja e votuesve në këtë raund të zgjedhjeve arriti deri në 44.32 për qind. Daka theksoi se Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz  Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62.69 për qind, ndërsa partia Nisma për Kosovën me kandidatin Isa Xhemajlaj ka 8 mijë e 476 vota apo 37.31 për qind.

Daka: Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62.69 për qind

“Në bazë të të dhënave të dërguara nga qendrat e votimit në komunën e Gllogocit rezultatet preliminare janë si në vijim, votues të regjistruar kemi pasur 52 mijë e 569, numri i përgjithshëm i vendvotimeve 72, numri i vendvotimeve nga të cilat janë dërguar të dhënat 72, pra qind për qind rezultatet i kemi, numri i nënshkrimeve 23 mijë e 438, numri i fletëvotimeve të vlefshme ka qenë 22 mijë e 718, numri i fletëvotimeve të pavlefshme 581, përqindja e votuesve që kanë votuar në vendvotime dhe që kanë dërguar të dhëna është 44.32 për qind, sipas kandidatëve rezultatet janë si në vijim. Partia Demokratike e Kosovës me kandidatin Ramiz Lladrovci ka 14 mijë e 242 vota apo 62.69 për qind të votave, partia NISMA për Kosovën me kandidatin Isa Xhemajlaj ka 8 mijë e 476 vota apo 37.31 përqind”, tha Daka./KosovaPress/

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci, në një konferencë për media tha se kjo është dëshmi që Partia Demokratike e Kosovës ka bastion Drenasin dhe Drenicën.

Ai tha se do të jetë kryetar i gjithë qytetarëve pa i dalluar ata që e kanë votuar me ata që nuk e kanë votuar, andaj shtoi se Drenasi, Drenica dhe Ushtria Çlirimtare konfirmuan vendlindjen e saj e cila është Drenasi. Lladrovci theksoi se kjo është forca që e bën fuqinë pavarësisht asaj që ju jeni tallur me mua.

Lladrovci: Kjo është forca që e bëri fuqinë

“Kjo është dëshmia që edhe një herë Partia Demokratike e Kosovës e dëshmoi që Drenasin edhe Drenicën e ka bastion prandaj falënderoj të gjithë qytetarët unë do të jem kryetar i gjithë qytetarëve pa dallim edhe atyre që nuk më kanë votuar edhe atyre që më kanë votuar, kështu që Drenasi, Dremica dhe Ushtria Çlirimtare e konfirmoj edhe njëherë që vendlindjen e ka në Drenas. Kjo është ajo që e kam thënë që jeni tallë të gjithë se forca e bën fuqinë, kjo është forca që e bëri fuqinë”, tha Lladrovci.

Kandidati për kryetar të komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci është shpallur fitues në rezultate preliminare nga dy organizata vëzhguese dhe hulumtuese të këtyre zgjedhjeve, Koalicioni për Integritet Zgjedhor dhe Instituti për Hulumtime dhe Analiza Sociale. 

Me 75 për qind të votave: Lladrovci fiton me 63 për qind të votave

Janë numëruar zyrtarisht një e treta e votave për Drenasin.

Lladrovci po e mban epërsinë. Kur janë numëruar 75 për qind të votave kandidati i PDK-së ka arritur të grumbullojë 63.74 për qind të votave, ndërsa Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën ka marrë 36.53 për qind të votave.

Me 50 për qind të votave: Lladrovci rreth 63 për qind, Xhemajlaj 37 për qind

KQZ ka numëruar rreth 50 për qind të votave në balotazhin në Drenas.

Me to, prin bindshëm Ramiz Lladrovci i PDK-së me 62.84 për qind derisa Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën ka 37.16 për qind.

Këto janë rezultatet e para të publikuara nga KQZ-ja

Komisioni Qendror Zgjedhor ka filluar të bëjë publikimin e rezultateve preliminare në balotazhin e mbajtur sot në Drenas.

Sipas faqes zyrtare të KQZ-së, në 5 votime nga 72 prej tyre, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci prin me 724, derisa ai i NISMA për Kosovën Isa Xhemajlaj ka 342 vota.

Rezultatet Preliminare nuk përfshijnë votat me kusht, votat me postë dhe votat e personave me nevoja të veçanta.

Rezultatet Live mund t'i ndiqni Këtu.

DnV: 45.45% të votuesve marrin pjesë në zgjedhje në Drenas

Demokracia në Veprim ka dalë me rezultatet e para jozyrtare për zgjedhjet për kreun e komunës së Drenasit.

Sipas DnV’së, me 70 për qind të votave të numëruara, kandidati i PDK’së, Ramiz Lladrovci ka marrë 56 për qind të votave.

Kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj, ka marrë 44 për qind të votave.

Dalin rezultatet e para nga Drenasi

Media ka siguruar rezultatet edhe nga disa zona votimi në Drenas, ku sot u mbajt rrethi i dytë i votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Komunës.

Partia Demokratike e Kosovës, sipas të dhënave të siguruara, po udhëheq bindshëm në tri fshatra.

Ramiz Lladrovci ka marrë dukshëm më shumë vota se kundërkandidati i tij nga Nisma, Isa Xhemajlaj, në Tërstenik, Gllanasellë edhe Gradicë. 

Kanidati i Nismës, Isa Xhemajlaj, po udhëheq edhe në qendër të qytetit, e edhe në fshatin Vasilevë. Në këtë fshat, në raundin e parë, kishte fituar Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës.

Xhemajlaj po udhëheq në shkollën Halil Bajraktari në qendër të Drenasit.

Media mëson se në një klasë në fshatin Baicë, kandidati i PDK’së, Ramiz Lladrovci dhe ai i Nismës, Isa Xhemajlaj, janë barazi me vota. Të dy kandidatët kanë marrë nga 147.

Ndërkaq, në një klasë në fshatin Arllat, kandidati i Nismës, Isa Xhemajlal ka marrë 106 vota, ndërkaq Ramiz Lladrovci nga PDK ka marrë 48 vota.

Në epërsi përballë Lladrovcit ai është edhe edhe në Vasilevë: 200 me 100.

DnV: 45.45% të votuesve marrin pjesë në zgjedhje në Drenas

Në Drenas kanë votuar 23,891 votues ose përkthyer në përqindje 45.45%, sipas Demokracia në Veprim.

Demokracia në Veprim, raporton se të gjitha vendvotimit janë mbyllur me kohë dhe ka filluar procesi i numërimit të votave.

Në Drenas kanë votuar 23,891 votues ose përkthyer në përqindje 45.45% Dalja në zgjedhje krahasuar me raundin e parë është rritur për 4.9%.

Image
Ismet Kryeziu nga DnV

Përfundon votimi në Drenas, mbyllen vendvotimet

Në orën 19:00 janë mbyllur të gjitha qendrat e votimit në Komunën e Drenasit.

Deri në orën 17:00 koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim” ka njoftuar se pjesëmarrja e votuesve ka qenë rreth 39 %.

Gara për kryetarin e komunës së Drenasit është zhvilluar sot për herë të dytë, në balotazhin në mes të kandidatit të PDK-së Ramiz Lladrovci dhe atij të NISMA për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

Deri në orën 17:00 votuan 39 % e qytetarëve, ka pasur edhe parregullsi

Ismet Kryeziu nga koalicioni i OJQ-ve DnV, tha se deri në orën 17:00 kanë dalë 39 përqind e votuesve me të drejt vote.

Sipas Kryeziut ka ekipe mobiluezese nga partitë për bartjen e qytetarëve për të votuar.

Sipas DnV-së, për votime familjare janë shënuar 63 raste, kurse janë vërejtur 12 raste të fotografimit të votave.

Kryeziu tha se në dy qendra të votmeve janë vërejtur  dy zyrtarë të cilët nuk janë të akredikuar për zgjedhje.

Shqetësuese sipas tij është edhe një rast në Trestenik, ku është vërejtur se ka votuar një person edhe pse ka pasur sprej në gisht.

Zyrtarët të Koalicionit për Integritet Zgjedhor në konferencën e radhës që kanë mbajtur në Drenas se deri tani kanë dalë për të votuar mbi 16 përqind të qytetarëve votues të Drenasit.

Megjithatë KIZ ka evidentuar disa nga parregullsi gatë procesit zgjedhor.

Albana Merja nga KIZ tha se fenomen shqetësues është prezenca e shenjës së sprejit në  gishtat e votuesve e përkundër kësaj ata janë lejuar që të votojnë përsëri.    

Merja tha se ka pas raste kur disa votues janë lejuar që të votojnë pa llampë.

Sipas KIZ votime me asistencë deri më tani janë evidentuar 282 raste, fotografim të votës pesë raste ndërsa një person ka votuar pa letërnjoftim.

Koalicioni për Integritet Zgjedhor kërkon nga të gjitha partitë që ta administrojnë procesin zgjedhor deri në fund.

Sipas KIZ deri më tani kanë votuar 2 përqind më shumë se sa në zgjedhjet e 4 dhjetorit.

Në shkollën “Halil Bajraktari” edhe zyrtar të ambasadës amerikane

Drejtori i shkollës "Halil Bajratari" në Drenas, Gazmend Heta ka thënë se në këtë shkollë ka pasur një fotografim të votës, por sipas tij, ky person është shënuar në librin me vërejtje.

Ai tha se deri në këtë moment kanë dalë për votim mbi 50 për qind të votuesve.

Sipas tij, pjesëmarrja kësaj radhe është më e madhe se më 4 dhjetor.

Të drejtë vote sipas Hetës në këtë shkollë kanë 3 mijë e 118.

Në korridorin e kësaj shkollë ka qëndruar edhe një zyrtar i ambasadës amerikane.

Numri i vëzhguesve sipas Hetës është i madh. Megjithatë, në këto momente gjithçka është duke shkuar qetë.

KDI: Ka ndodhur presion për të votuar

Visar Sutaj nga KDI konfirmoi sa janë evidentuar disa parregullsi gjatë votimit në zgjedhjet për balotazh në Drenas. Sipas tij, ndër parregullsitë më të evidentuar deri më tani janë fotografimi i votës në shkollën “Halil Bajraktari”, votime për anëtarë familjarë, mos saktësia e emrave në listën e votuesve, presion për të votuar e të tjera.

Ai vuri në dukje se një pjesëmarrje të ulët të qytetarëve me të drejt vote. Sipas tij, kanë ndodhur mbi gjashtë fotograime të votave dhe votime të dyfishta, të evidentuara nga vëzhguesit e KDI.

***

 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në konferencën e dytë të mbajtur sot, në ditën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme me balotazh për kryetar Komune në Drenas, bënë të ditur se deri në orën 15:00 pjesëmarrja e qytetarëve që votuan është 15 mijë e 610 votues.

Përkthyer në për qindje numri i votuesve, për tetë orë sa janë hapur qendrat e votimit, i bie të jetë 29.69% nga 52 mijë e 569 votues sa përmban lista përfundimtare e qytetarëve me të drejtë vote në këtë komunë.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se është një rritje e numrit të qytetarëve të cilët kanë dalë për të votuar kësaj të diele, krahasuar me raundin e parë të zgjedhjeve në Drenas.

Daka: Deri në orën 15 kanë votuar 29.69 për qind e qytetarëve

“Deri në orën 15 kanë votuar 15 mijë e 610 votues apo 29.69 për qind të votuesve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara të raundit të parë me 4 dhjetorë 2016 deri në të njëjtën kohë kanë votuar 14 mijë e 193 votues apo 27 për qind të votuesve. Pra, kemi një rritje të daljes”, tha Daka.

Gjithashtu, Dakaj tha se procesi i votimit deri më tani ka shkuar në rregull dhe nuk është raportuar për ndonjë parregullsi.

Daka: Procesi i votimit është duke shkuar në rregull

“Deri tani procesi i votimit është duke shkuar me rregull dhe nuk kemi ndonjë informatë se kemi ndonjë çështje e cila do ta kishte demtuar imazhin e zgjedhjeve të kësaj dite”, tha Daka.

Kryetarja e KQZ-së tha se votimi me asistencë, në qoftë se kryhet sipas procedurave të përcaktuara me Ligj, nuk paraqet keqpërdorim, ngase asistenca është e lejuar në rastet specifike.

KQZ: Deri në orën 15:00 votuan rreth 30 % e qytetarëve

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e radhës lidhur Raundin e Dytë të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme për Kryetar Komune në Drenas (Gllogoc).

Në këtë konferencë, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka bëri të ditur se pjesëmarrja në votime e qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 15:00 është: 15 mijë e 610 votues apo 29.69% nga 52 mijë e 569 votues sa përmban Lista Përfundimtare e Votuesve.

Deri në të njëjtën kohë në Raundin e Parë (04 dhjetor) patën votuar 14 mijë e 193 votues apo 27% e qytetarëve me të drejtë vote.

Gjithashtu, kryetarja Daka njoftoi se duke u mbështetur në informacione nga Qendrat e Votimi procesi zgjedhor është duke vijuar normalisht.

Image
Votimet në Drenas

DnV: Dalja në votime deri në orën 13:00 është 20.34%

Demokracia në Veprim ka njoftuar se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 13:00 është 10,691 votues apo shprehur në përqindje 20.34%.

Sipas DnV, problemet me listën e votueseve dhe votimi familjar mbesin parregullsitë më të raportuara.

“Deri më tani janë evidentuar 67 raste kur votuesit nuk e kanë gjetur emrin në listën e votuesve dhe 54 raste të votimit familjar”.

“Janë identifikuar 6 raste të fotografimit të votës. Konkretisht në vendvotimin 0301X/03R në Gllogoc, shkolla “Halil Bajraktari”, ka pasur një rast të fotografimit të votës, por që nuk është evidentuar nga komisionerët me arsyetimin se nuk dinë se çfarë duhet të ndërmerret në raste të tilla”.

“Po ashtu  janë evidentuar 3 raste kur i njëjtë person ka asistuar më shumë se një herë për të votuar. Në vendvotimin 0316E/02D në Gllanasellë në shkollën “Xhevë Lladrovci”, një person ka asistuar dy herë për votim. Në po të njëjtin vendvotim një nga anëtarët e KVV-së ka asistuar një qytetarë në votim”.

“Është raportuar se në katër vendvotime vëzhguesit nuk janë ulur mbrapa komisionerëve për të përcjellë procesin e votimit, gjë që  vështirëson punën e tyre dhe është në kundërshtim me vendimin e KQZ-së. Këto raste janë në Koreticë të Epërme, shkolla Shaban Polluzha në vendvotimin 01R, në Gllogoc, shkolla Rasim Kiçina, vendvotimet 01R dhe 05D, si dhe në Gllanasellë në shkollën Xhevë Lladrovci, në vendvotimin 02D”, bën të ditur Demokracia në Veprim.

Nisma: Kredimarrësit po shantazhohen nga njerëzit e PDK-së

Dega e Nismës për Kosovën edhe një herë ka akuzuar Partinë Demokratike të Kosovës, se nëpërmjet një punonjësi të një banke në Drenas po shantazhon kredimarrësit.

Shefi i shtabit zgjedhor të Nismës për Kosovën , Mehdi Thaçi në një konferencë për media duke raportuar për parregullsitë gjatë votimeve, ka treguar edhe dy emra nga të cilët po shantazhohen qytetarët e Drenasit, Driton Ajazin punëtorë i një banke dhe shefi i tij Bislim Zogu. Ai tha se ata mundohen në mënyra të ndryshme t’i bindin qytetarët të cilët janë kredimarrës në atë bankë.

Thaçi: Partia në pushtet sjell parregullsi Video:

‘’Gjatë votimeve neve na kanë përcjellë disa probleme nga partia në pushtet, ku insistojnë me çdo kusht që njerëzit t’i shantazhojnë dhe t’i bindin që të votojnë për ta. Fillimisht desha t’iu njoftoj për vërejtjet që kemi në fshatin Stankovc, ku aty me dy automjete partia në pushtet, ne i kemi edhe me emra dhe mbiemra, Driton Ajazi një punëtorë i bankës, ku si shef e ka Bislim Zogun, në mënyra të ndryshe shantazhon njerëzit, aty ka të bëjë me njerëz të cilët janë kredi marrës në atë bankë dhe mundohet në mënyra të ndryshme t’i shantazhoj. Megjithatë ne prapë se prapë do të vazhdojmë në mënyrën më të mirë të jemi për votuesit tanë që dalin, dhe i ftojmë të dalin të votojnë pa asnjë incident pavarësisht provokimeve që kemi nga tereni’’, tha Thaçi.

Mehdi Thaçi, gjithashtu raportoi se nga fshati i kandidatit të PDK-së ka shumë pak votues. Ai tha se ata po insistojnë që me metodat e veta të dalin fitues në mënyrë të parregullt.

Thaçi: Bëjnë gjithçka me i arrit votat

‘’Dalja në votim është e kënaqshme, kemi raporte nga tereni ku nga fshati nga vjen kandidati i PDK-së ka shumë pak votues, e vetmja arsye besoj që është se ata insistojnë që në orët e vona të dalin në vota, dhe qysh i kanë metodat e veta, ne mënyrë të parregullt t’i fitojnë votat dhe të bëjnë gjithçka për me arrit rezultatin. Kemi rastet në teren ku është raportuar në fshatin Nekofc që rregullisht 2 orë ose më shumë insistojnë njerëzit që kanë votuar diku tjetër,... dhe insistojnë me kusht që të votojnë dy herë’’, tha Thaçi.

Thaçi është shprehur i bindur se Nisma kësaj radhe do të fitojë për të vetmen arsye se njerëzit e kanë kuptuar se me partinë që është në pushtet nuk mund të ecin përpara.

KIZ tregon për parregullësitë në Drenas: Një person ka votuar dy herë

Koalicioni për Integritet Zgjedhor që po monitoron raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar të Komunës në Drenas, ka raportuar për disa parregullsi që kanë ndodhur në procesin e votimit.

Siç ka njoftuar KIZ në një konferencë për media, një person është lejuar që të votojë, përkundër se kishte dorën me sprej që tregon se i njëjti tashmë veç kishte votuar.

KIZ ka folur edhe për disa raste të tjera të tentimit të votimit të shumëfishtë, por që komisionerët kanë vepruar dhe nuk kanë lejuar të ndodhë diçka e tillë.

Gjithsesi, sipas KIZ, deri në këto momente nuk ka pasur parregullsi të cilat do ta dëmtonin shumë procesin e votimit në tërësi.

Mbi 7 për qind e qytetarëve dolën në votime deri në orën 11:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e parë për media në ditën e zgjedhjeve në Drenas.

Nga Prishtina, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se deri në orën 11:00 në Drenas kanë votuar 3 mijë e 843 votues, apo 7.31 për qind e votuesve nga kjo Komunë. Krahasuar me zgjedhjet e datës 4 dhjetor, kanë dal më pak votues. Të dielën e zgjedhjeve të kaluara deri në orën 11:00 kishin votuar 4 mijë e 55 votues.

Sipas Dakës deri tash procesi ka shkuar në rregull, dhe numërimi do të jetë në fund të ditës edhe më i lehtë ngase tash kemi vetëm dy kandidatë. Konferenca e radhës do të jetë në orën 15:30 minuta.

DnV: Në Drenas deri në ora 10 votuan 2,360 qytetarë ose 4.49%

Demokracia në Veprim ka bërë të ditur se deri në ora 10:00, në balotazhin e Drenasit kanë votuar 4.49 për qind e qytetarëve.

Në raportimin e DnV-së theksohen edhe disa parregullsi.

Dalja e votuesve:

Demokracia në Veprim, informon se dalja e votuesve në raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Drenasit deri në ora 10:00 është 2,360 votues (përfshirë ata me kusht) apo shprehur në përqindje 4.49%.

Administrimi i zgjedhjeve dhe qasja e votuesve me aftësi të kufizuara në vendvotime:

Gjithsej në 72 vendvotime janë 346 komisionerë, prej tyre 279 burra (80.64%) dhe 67 gra (19.36% gra).

Në qendrën e votimit 0321E, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, votimi po zhvillohet vetëm në katin e dytë duke pamundësuar votimin për persona me aftësi të kufizuar.

Po ashtu në qendrën e votimit në Krajkovë si dhe në Arllat, nuk ka kushte për votim për persona me aftësi të kufizuar.

Në vendvotimin 0317E/04D në Llapushnik në shkollën “Hasan Prishtina”, mungon zarfi për fletëvotime të pavlefshme.

Në vendvotimin 0306E/02R në Tërstenik, raportohet për jokompetencë të kryesuesit të vendvotimit në kryerjen e detyrës.

Parregullsitë e evidentuara:

Në 9 nga 28 qendra të votimit është vërejtur prani e  policisë brenda qendrës së votimit. Nuk raportohet për incidente, megjithatë prezenca e policisë në vendvotime është e ndaluar nëse nuk ftohen nga menaxheri i qendrës së votimit.

Në Tërstenik, dy persona të paautorizuar janë parë në qendrën e votimit të cilët po i orientojnë votuesit. Ndërsa në afërsi të shkollës “Luigj Gurakuqi” në Stankoc, është raportuar për persona të cilët janë parë duke orientuar votuesit.

Në shkollën “Xhevë Lladrovci” në Gllanasellë, vëzhguesit e PDK-së, po asistojnë komisionarët me listën e votuesve.  Vëzhguesit në këtë qendër nuk kanë pamje të qartë të procesit të votimit.

Në vendvotimin 0321E/01R, në Kishnarekë në shkollën “7 Marsi”, një person ka asistuar dy familjarë për të votuar, ndërsa është ndaluar të asistoj familjarin e tretë. Vlen të theksohet se familjari i tretë edhe pse është nënshkruar në listë të votuesve në shenjë pakënaqësie nuk ka votuar.

DnV do të vazhdojë të raportojë për të rejat tjera në kohë reale.

Daka në Drenas: Shpresoj se nuk do të provohet manipulimi

Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka, ka vizituar qendrën e votimit në shkollën e mesme”Fehmi Lladrovci” në Drenas, ku po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar të Komunës së Drenasit.

Daka ka kërkuar nga qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhje dhe të tregojnë kulturën e njëjtë të votimit si edhe në raundin e parë, duke shpresuar se nuk do të ketë tendencë për ta manipuluar votoën.

“Erdha që në emër të Komisionit Qendror Zgjedhor të shoh nga afër se si po shkojnë zgjedhjet e raundit të dytë në Drenas”, pohoi Daka.

“Ashtu sikurse raundi i parë i zgjedhjeve, shpresoj që edhe kësaj radhe të kalojë ky proces pa probleme”.

“Qytetaret sikurse dhe herën e kaluar shpresoj që të tregojnë dhe njëherë se si duhet të sillen në ditën e zgjedhjeve”.

Në këtë raund balotazhi ku po garojnë Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Xhemajlaj i Nismës për Kosovën, Daka tha se shpreson shumë që nuk do të provohet të manipulohet vota e qytetarit.

“Shpresoj që nuk do të ketë problem si manipulim të votave”.

“Kërkoj edhe nga gjithë qytetarët që të dalin masivisht në zgjedhjet e tyre e të tregojnë maturinë edhe në këtë raund”.

Daka do të vizitojë edhe disa qendra votimi në lokacione të ndryshme në Drenas.

Policia në detyrë, balotazhi ende pa incidente

Policia e Kosovës ka përgatitur planin operativ për balotazhin e sotëm që po zhvillohet në komunën e Drenasit.

Në detyrë janë angazhuar rreth 300 zyrtarë policor të cilët po bëjnë sigurinë e qendrave të votimeve.

Në çdo qendër të votimit janë nga dy e më shumë zyrtar policor dhe se deri në orën 09:20 minuta nuk është shënuar asnjë incident.

Balotazhi në Drenas: KIZ heton disa parregullsi

Koalicioni për Integritet Zgjedhor ka mbajtur një konferencë për media në Drenas, nga ku edhe po monitorojnë zgjedhjet për të parin e komunës, ku ka njoftuar lidhur me fillimin e procesit zgjedhor në Drenas.

Artan Canhasi, nga KIZ, tha se te gjitha qendrat e vendvotimit janë hapur me kohë, me përjashtim të katër vendvotimeve, të cilat kanë filluar me vonese diku prej 20 minutave.

Canhasi: Mungesa e komisionerëve në tetë vendvotime

"Sipas të dhënave të monitoruesit të koalicionit të gjitha vendvotimet janë hapur ne kohë me përjashtim të 4 vendvotimeve që janë hapur me vonesë prej 10 deri 20 minutave. Qysh në start po shihet se ka përmirësim nga ajo që ka qenë dy javë me herët, për shkak se dy javë me herët kemi pasur vonesa më të mëdha. Tash po shihet se të gjitha vendvotimet kanë filluar me kohë, me një vonesë që është e papërfillshme. Është vërejtur se ka mungesë të komisionerëve në disa vendvotime. Vëzhguesit e koalicionit kanë identifikuar mungesat e komisinerëve në 8 vendvotime", tha ai.

Canhasi i KIZ tha se është evidentuar edhe mungesë e materialit të votuesve sipas alfabetit brajal, në disa qendra të votimit.

Nga të gjeturat e KIZ bëhet e ditur se në shkollën "Bajram Curri", në Nekoc, administratorët e qendrës e kanë bllokuar pjerrinën për qasje të personave me aftësi të kufizuar dhe ky veprim përbën shkelje duke i penguar ata që ta realizojnë të drejtën tyre. Andaj KIZ i bënë thirrje KQZ-së që t’i plotësojë këshillat e vendvotimit me anëtarët e domosdoshëm për të vazhduar procesi zgjedhor si dhe të rregulloi hyrjen e qytetarëve me aftësi të kufizuara. Canhasi po ashtu tha se është vërejtur dhe material propagandues nga PDK në një qendër te votimit. Andaj ai i bëri thirrje KQZ së që të veproj dhe ta largoj këtë material nga qendrat e votimit.

Canhasi: Materiale propaganduese të PDK-së në afërsi të vendvotimit

"Janë vërejtur që ka materiale propaganduese të PDK-së në afërsi të qendrave të votimit. Në një rast të caktuar shihet stemat e partive që janë të vendosura në oborrin e shkollës. Kjo është në fshatin Poklek në shkollën "Fehmi Lladroci", është vërejtur se ka material propagandues në afërsi. Edhe për këtë i bëjmë thirrje KQZ së që të marrë masa, të shkojë sa më shpejtë dhe ta largoi atë material propagandues nga kjo qendër e votimit", tha përfaqësuesi i KIZ.

Ora e parë e votimit: OK

Përfaqësues të dy subjekteve, kandidatët e të cilave garojnë në balotazh, kanë deklaraur se ora e parë e votimeve ka ecur në rregull

Ora e parë e votimit në Drenas, ku qytetarët vendosin për kryetarin, ka shkuar në rregull.

Kryesuesi i Shtabit Zgjedhor të PDK-së, Idriz Hyenaj, ka thënë se ora e parë e zgjedhjeve ka ecur mirë, ndaj nuk kanë ndonjë ankesë.

“Procesi zgjedhor është duke vazhduar pa asnjë telashe. Nuk ka pasur ndonjë incident apo telashe të rapotuar”.

Njëjtë konstaton edhe sekretari i NISMA, dega në Drenas, Qëndrim Krasniqi. Ai ka thënë se në orën e parë të votimeve në balotazh nuk ka pasur ndonjë parregullësi.

“Janë raportuar mungesa të komisionerëve nëpër disa qendra votimi, por KQZ ka zgjiedhur këtë problem. Ndryshe deri tani nuk kemi hasur në ndonjë parregullësi”.

Kujtojmë se në Drenas, për të marrë drejtimin e komunës, në balotazhin e së dielës, përballen Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Xhemajlaj i NISMA për Kosovën.

Image

DnV: Vetëm në dy vendvotimet pati vonesë nga dhjetë minuta

Koalicioni i OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, ka njoftuar se vetëm në dy nga 72 vendvotime ka pasur 10 minuta vonesë në hapje, për shkak të vonesës së komisionerëve.

Sipas DnV-së, të gjitha materialet sensitive raportohet të janë në vendvotim. Ndërkaq nuk janë evidentuar materiale propaganduese brenda perimetrit të ndaluar prej 100 metra nga qendra e votimit.

Demokracia në Veprim u bën thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të dalin në zgjedhje për ta ushtruar të drejtën e tyre për të votuar.

Image

PDK thyen ‘heshtjen’ në Drenas?

Llogoja e Partisë Demokratike të Kosovës është parë në një objekt, afër një qendre votimi, në Drenas – që të dielën zgjedh kryetarin

Simbole të Partisë Demokratike të Kosovës janë parë afër Qendrës së Votimit në shkollën fillore “Fehmi Lladrovci”, në Drenas.

Një gjë e tillë është në kundërshtim me heshtjen zgjedhore, ndërsa mbetet të kuptohen rrethanat dhe veprimet e mëtutjeshme të shtetit në këtë drejtim.

Kujtojmë se në Drenas, për të marrë drejtimin e komunës, në balotazhin e së dielës, përballen Ramiz Lladrovci i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Isa Xhemajlaj i NISMA.

Image

Votuesit shpresojnë në ndryshime

Votimi për raundin e dytë të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit ka filluar edhe në qendrën më të madhe, shkollën “Rasim Kiçina”, në këtë komunë.

Njëri nga votuesit e parë ishte Xhemajl Bytyqi , i cili tha se votoi me shpresën që Drenasi do të dyshoje.

“Drenasi ka nevojë për vende të reja të punës, investime në ujësjellës, kanalizim dhe në fusha tjera”, tha ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat