Shkollën “Enver Maloku” në Podujevë e shkatërruan gjimnazistët, tani po e riparojnë prindërit

Kosova

Shkollën “Enver Maloku” në Podujevë e shkatërruan gjimnazistët, tani po e riparojnë prindërit

Më: 18 dhjetor 2016 Në ora: 10:27
Shkolla “Enver Maloku” në Podujevë

Bankat, karriget, muret, tabela, tapeti, dyert, dritat, banjot, fushat e sportit e shumë të tjera gjimnazistët i shkatërruan pothuajse tërësisht në objektin shkollor të cilin kishin mësuar deri para pak muajsh .

Të tillë, pa e riparuar as edhe një karrige të vetme, objektin ua lanë pas filloristëve të “Enver Malokut” ani pse ky objekt ishte ndërtuar për këta të fundit.

E kjo gjë bëri që Këshilli i prindërve të shkollës fillore “Enver Maloku” të bëhen shembull për komunitetin e tyre pasi që me para të tyre, me iniciativë vullnetare të riparojnë hapësirën e shkollës të cilën e “shkatërruan” gjimnazistët.

Të mbështetur nga drejtori i shkollës “Enver Maloku”, Agim Hamza ata kanë filluar renovimin e klasave të fëmijëve të tyre duke lyer muret, pastruar tabelat dhe bankat të cilat sipas tyre ishin në gjendje të mjerueshme.

rejtori i “Enver Malokut” tha se gjithë ky renovim i brendshëm është bërë me iniciativë vullnetare nga këshilli i prindërve.

“Në shkolla mblidhet këshilli i prindërve dhe këshilli i prindërve i merr vendimet që ne nuk i dimë. Kryetari i këshillit të prindërve i ka sigurua tri kanta me ngjyrë, unë i kam sigurua pjesët tjera përcjellëse për ti ngjyrosur. Punëtorët teknik e kanë kryer punën fizike ndërsa para nuk ka parë askush në shkollë”, tha ai duke shtuar se edhe dezinfektimin e gjithë shkollës e kanë bërë prindërit falas.

Ai për Llapi.info tha se ndihma të tilla nga prindërit janë të mirëseardhura pasi që këshilli i prindërve të shkollës është organ vendimmarrës për shkollën.

Por problem në këtë shkollë po paraqet edhe ngrohja qendrore e cila në njërën pjesë të shkollës është më dobët ndërsa në pjesën tjetër funksion normalisht.

Për këtë drejtori i arsimit në Komunën e Podujevës Avni Maloku ka thënë se janë duke planifikuar që gjatë pushimit dimëror të intervenojnë për rregullimin e këtij problemi.

“Një problem që na u është reflektua kohëve të fundit është çështja e nxehjes, edhe aty e kemi një rrjedhje të vogël të nxehjes por instalimi i nxehjes është bërë nën mur të korridorit tash është problem t gjejmë se ku është ajo rrjedhje sepse nuk kemi mundësi që korridorin ta prishim

Jemi duke menduar që në pushim dimërorë, nëse e gjejmë një mundësi brenda kësaj kohë do të intervenojmë menjëherë mirëpo sipas informacionit që kam unë ajo rrjedhje në korridor ajo nuk kryhet brenda kohës së shkurtër”, tha Maloku

Ai ka shtuar se me ndarjen e buxhetit, nga viti i ardhshëm pritet që ky objekt të rinovohet i gjithi duke filluar nga ambienti i brendshëm e deri tek ai i jashtëm kështu duke ia përshtatur plotësisht nevojave të nxënësve filloristë të shkollës “Enver Maloku”.

Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat