Pacolli: Buxheti nuk rritet me kredi por me produktivitet

Kosova

Pacolli: Buxheti nuk rritet me kredi por me produktivitet

Më: 25 dhjetor 2016 Në ora: 15:23
Pacolli në Therandë

Dega e Aleancës Kosova e Re në Therandë (Suharekë), sot në prani të një numri të madh të përkrahësve të partisë, ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të degës në këtë Komunë.

Përveç mysafirëve të shumtë dhe delegatëve të pranishëm, punimet e këtij Kuvendi kishte ardhur t’i ndjek nga afër edhe Presidenti i Aleancës Kosova e Re, z.Behgjet Pacolli.

Presidenti Pacolli ju drejtua qytetarëve të Therandës me një fjalë rasti, duke i falënderuar ata fillimisht për përkrahjen ndaj vizionit dhe plan programit të AKR-së.

Pacolli më tej ka folur për situatën socio-ekonomike në vend. Ai ka thënë se është momenti që qytetarët të vendosin për ndryshim. “Duhet të krijojmë kushte të punës prej njerëzve që e dinë se çka është puna. Njerëzit që kanë qeverisur tash e 17 vjet, kanë dëshmuar të kundërtën”, është shprehur ndër të tjera i pari i AKR-së. “Buxheti do të duhet të ishte rezultat i produktivitetit, prandaj unë dyshoj që do të ketë rritje, pasi që askush deri sot nuk na tregoi se si konkretisht planifikojnë ta bëjnë këtë” ka thënë më tutje Presidenti i AKR-së. Pacolli pas fjalimit i ka uruar punë të mbarë Kuvendit, duke i falënderuar delegatët për punën e tyre të palodhshme.

Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 142 delegatëve, me shumicë votash Kryetar i degës së AKR-së në Therandë është zgjedhur Mustafë Kadriaj.

Kryetari i sapo zgjedhur ju ka premtuar qytetarëve të Therandës se me përkrahjen e Presidentit Pacolli  do të vijnë ndryshimet pozitive për qytetarët e Therandës. “Se bashku me një ekip të kualifikuar do t'ia arrijmë që ta largojmë keq-qeverisjen nga vendi”, ka thënë Kadriaj. Ai ka shtuar se fokusi i tij kryesor do të jetë në urbanizëm, bujqësi dhe shëndetësi.

Kuvendi më pas i ka zgjedhur edhe strukturat tjera udhëheqëse të degës me nënkryetarët Halil Buqa dhe Alban Lumi si dhe sekretar Isuf Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat