Kaçaniku kërkon ndihmën e privatëve, banorët në aksion

Kosova

Kaçaniku kërkon ndihmën e privatëve, banorët në aksion

Më: 6 janar 2017 Në ora: 18:10
Bora në Kaçanik

Kryetarët e komunave tv Kaçanikut e Hanit të Elezit, thonë për KALLXO.com se gjendja në komunat e tyre është e rënduar si pasojë e borës që po bie. Ndërsa një fshat në Kaçanik po pastrohet nga vetë banorët.

Një rrugë që vazhdimisht ka pasur probleme me rrëshqitjen e dheut, nuk kishte se si të mos kishte probleme edhe pas reshjeve të dendura të borës që po vazhdojnë për dy ditë në Republikën e Kosovës.

Magjistralja Prishtinë-Shkup, më saktësisht segmenti Kaçanik-Hani i Elezit,  është e kalueshme por me vështirësi të mëdha.

Kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma për kallxo.com tha se kjo pjesë e rrugës mbrëmë ishte e bllokuar për pesë orë, ndërsa sot mund të kalohet disi.

“Unë personalisht jam tani në magjistrale dhe përkundër se rruga është e kalueshme për momentin, ajo çdo moment mund të bllokohet përsëri”, tha Suma.

Suma tha se disa kompani vullnetarisht janë duke ndihmuar në pastrimin e rrugës ndërsa edhe Komuna e Hanit të Elezit ka vënë në dispozicion një veturë ku vetëm mbrëmë kanë pasur tre raste të lindjes të cilat janë dërguar në Ferizaj.

Gjendje edhe më e rëndë mbretëron në fshatrat e Kaçanikut ku shumica e rrugëve në fshatrat e kësaj komune janë të pakalueshme.

Në një prononcim për kallxo.com, kryetari i kësaj komune, Besim Ilazi, tha se përkundër përpjekjeve të  vazhdueshme të kompanisë së angazhuar nga Komuna, rrugët në për fshatra mbetën të pakalueshme.

“Gjendja në Kaçanik është  shumë e rëndë. Trashësia e borës vetëm në qytet ka arritur në 40 centimetra ndërsa pothuajse të gjitha fshatrat janë të bllokuara dhe rrugët janë të pakalueshme”, tha Ilazi.

Ilazi më tej tha se përkundër se Komuna e Kaçanikut ka të angazhuar një kompani për mirëmbajtjen e rrugëve, u kanë bërë thirrje të gjitha kompanive të qytetit për të ndihmuar.

“Ne u kemi bërë apel të gjitha kompanive të Kaçanikut të na dalin në ndihmë dhe 6 kompani na kanë dalë në ndihmë. Në do t’ua kompensojmë naftën”, tha Ilazi.

Përkundër gjendjes së rënduar, kryetari Ilazi tha se nuk kanë pasur ndonjë kërkesë emergjente nga ndonjë qytetarë, ndërsa janë duke bërë përpjekje që t’i zhbllokojmë rrugët në qytet që çojnë te ambulanca dhe pastaj gjatë ditës besojmë se do ta përmirësojmë gjendjen.

Ndërsa në fshatin Biçec të komunës së Kaçanikut, banorët janë angazhuar vetë që ta pastrojnë borën nga rrugët e fshatit.

Kjani Sallahu, banor i këtij fshati, tha për KALLXO.com se deri më tani, aksioni i banorëve ka bërë që të pastrohet gjysma e rrugës në fshat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat