Kosova dhe Egjipti të bëhen sa më shpejt me ambasada

Kosova

Kosova dhe Egjipti të bëhen sa më shpejt me ambasada

Më: 28 shkurt 2017 Në ora: 14:38
Xhavit Haliti ka pritur në takim deputetin e Parlamentit të Egjiptit Mohamed El-Orabi dhe Ahmet El-Moslemany

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti ka pritur në takim deputetin e Parlamentit të Egjiptit Mohamed El-Orabi dhe Ahmet El-Moslemany, ish-këshilltar i presidentit Adly Mensur.

Me delegacionin nga Egjipti është diskutuar për marrëdhëniet mes dy parlamenteve.

Me këtë rast, Haliti deklaroi se fokusi i takimit ka qenë  për vendimin e shpejtë që duhet ta marrin dy vendet për krijimin e ambasadave.

Haliti: Marrëdhëniet me Egjiptin janë historikisht të mira dhe kështu do të jenë edhe në të ardhmen?

“Biseduam për marrëdhëniet mes të dy parlamenteve tona, për marrëdhëniet në mes të qytetarëve të Kosovës dhe në mes të dy vendeve tona. Siç biseduam edhe për vendimin e shpejt që duhet ta marrin të dyja palët sa i përket çështjes së hapjes së dy ambasadave në të dy vendet përkatëse. Marrëdhëniet me Egjiptin janë historikisht të mira në mes të dy kombeve tona dhe në këtë mënyrë do të vazhdojnë. Nga Egjipti kemi çka të mësojmë dhe çfarë të merr edhe njerëzimi në përgjithësi. Ishte një takim vërtet miqësor në mes të dy delegacioneve, të cilat në bisedat  kemi rënë dakord që e ardhmja e marrëdhënieve tona të jetë sa më e mirë”, deklaroi Haliti.

Sipas Halitit, marrëdhëniet me Egjiptin  do e mundësojnë edhe zhvillimin e turizmit dhe kulturës të të dyja vendeve.

Kurse, deputeti i Parlamentit të Egjiptit, Mohamed El-Orabi tha se përmes takimit të djeshëm me presidentin e vendit Hashim Thaçi, janë konfirmuar edhe njëherë lidhjet e forta mes dy vendeve.

El-Orabi: Përmes takimit kemi konfirmuar lidhje të fortë mes dy shteteve

“Dje kemi pasur rastin të takojmë shkëlqesinë e tij ku  kemi pasur një diskutim mjaft të frytshëm dhe e kemi konfirmuar lidhjen e fortë mes dy shteteve dhe historinë e përbashkët e cila i lidh dy kombet. Jemi të vendosur për ta zgjeruar marrëdhënien tonë.  Ne jemi nisur në drejtim të reformave të reja ekonomike dhe populli i Egjiptit janë të vendosur të paguajnë çmimin në mënyrë që shteti i tyre të këtë stabilitet dhe prosperitet nën udhëheqjen e presidentit Abdel Fattah El-sisi”, deklaroi El-Orabi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat