Trajnimi për të miturit në burgje ka ndikuar në uljen e incidenteve mes tyre

Kosova

Trajnimi për të miturit në burgje ka ndikuar në uljen e incidenteve mes tyre

Më: 10 mars 2017 Në ora: 13:03
Foto ilustrim

Të miturit që aktualisht janë duke vuajtur dënime me burg për katër vjet kanë ndjekur një trajnim për riedukimin dhe risocializimin e tyre.

Rezultatet e këtij trajnimi janë prezantuar sot nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës  në tryezën  e quajtur “Promovimi i programit të risocializimit për të miturit në burgje”.

Drejtoresha ekzekutive e QKRMT-së, Feride Rushiti tha se  këto rezultate të cilat janë arritur   falë kontributit dhe donatorëve dhe partnerëve rajonal dhe lokalë.

Rushiti gjithashtu tha se ky program ka ndikuar në rritjen komunikimit tek të miturit, uljen e incidenteve mes tyre gjithashtu edhe dhunës dhe rritjen e shkathtësive në vendimmarrjen social.

Rushiti: Rezultate të arritura falë donatorëve

“Në këtë drejtim mund të themi se ka pasur rezultate konkrete në fushën e avancimit të drejtave të njeriut për personat e privuar nga liria. Tryeza e sotme për dallim nga tryeza të tjera ku ne si organizatë dalim me të gjetura dhe rekomandime, dallon dukshëm për faktin se në bashkëpunim me Komitetin Holandez të Helsinkut duam të promovojmë dhe të fuqizojmë programet risocializuese për të miturit dhe të dënuarit në sistemin korrektues të Kosovës...Kështu ky program ka ndikuar në rritjen e interaktivitetit po ashtu në komunikimin e përgjithshëm ndërmjet të miturve në mes vete. Po ashtu edhe në mes të miturve të sistemit korrektues ka ndikuar direkt në uljen e incidenteve apo dhunës ndërmjet tyre, menaxhimin e zemërimit dhe rritjen e shkathtësive në vendimmarrje sociale,” tha Rushiti.

Ky trajnim është mundësuar edhe në bashkëpunim me Komitetin holandez të  Helsinkit, e që përfaqësues të tij janë ndarë shumë të kënaqur me rezultatet që kanë arritur për këto katër vjet.

Pjepijn Gerrits nga ky Komitet shpreson se  kanë vënë një  themel të vogël, por të fuqishëm për zgjerimin e trajnimin në Qendrat  Korrektuese jo vetëm në Kosovë por edhe në Maqedoni dhe Shqipëri.

Gerrits: I kënaqur nga rezultatet

“Fakti që ne kemi investuar në kushtet e jetesës së për të burgosurit që ata të fokusohen dhe integrohen në shoqëri luan rol kyç për të siguruar se këta të mitur kanë një jetë pas vuajtjes së dënimit. Jemi shumë të kënaqur që ne jemi sot këtu të ndajmë rezultatet e këtij programi me ju dhe shpresojmë se me këto rezultate dhe me përfundimin e këtij programi  ne kemi vënë një themel të vogël,  por të fuqishëm për zgjerimin e këtij trajtimi dhe kësaj metodologjie në tërë Kosovën  dhe Qendrat Korrektuese” tha Gerrits.

Ndihma për institucionet e Kosovës nuk do të mungojë as në të ardhmen nga Holanda.

Ambasadorja e këtij shteti në Kosovë Gerrie Willems tha me këtë rast se edukimi i duhur, motivimi dhe rritja e mundësive janë të drejta themelore që të miturit të jenë të suksesshëm në qasjen e tyre në shoqëri.

Willems: Synojmë të mbështesim institucionet e Kosovës.

“Me këtë projekt në synojmë që të mbështesim institucionet e Kosovës, respektivisht qendrat për shërbime korrektuese dhe drejtësinë për ta përvetësuar standardet e BE-së, më specifikisht, për të përmirësuar kushtet në burgjet për një qasje më të suksesshme të  miturve në shoqëri”, tha Willems. 

Për ecuritë e trajnimeve me të mitur në Qendrën Korrektuese në Lipjan ka folur drejtori i kësaj Qendre Heset Loku.

Sipas tij interesimi i të miturve të burgosur ka qenë jashtëzakonisht i madh dhe se trajnimi i vetëm një grupi ka zgjatur 14 javë, ndërsa janë trajnuar gjithsej 66 të mitur që gjenden në këtë qendër.

Loku: Interesim i madh nga të miturit

“Qëllimi i këto projekti është i qartë domethënë riedukimi dhe socializmi i kategorive të miturve që ndodhen në Lipjan. Nga  fillimi i vitit n 2014 kemi startuar me grupin e parë të  të miturve. Çdo grup përfshin 6-7 të mitur...dhe një grup ka shkuar në përfundimin e trajnimit 14 javësh dhe për ta përfunduar një grup të miturve, trajnimin është dashur të kalon një periudhë 14 javësh me tre ditë brenda javës ligjërata dhe interesimi i të miturve ka qenë  jashtëzakonisht i madh. Të  miturit që kanë përfituar deri më tani janë 66”, tha Loku

Projekti ka zgjatur katër vjet dhe ka përfunduar sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat