Gruaja pyet të akuzuarin ‘Pse ma vrave burrin?

Kosova

Gruaja pyet të akuzuarin ‘Pse ma vrave burrin?

Më: 18 mars 2017 Në ora: 14:10
Pallati i Drejtësisë

Fidan Makolli që akuzohet për vrasje të djalit të axhës së tij u pyet nga gruaja e të ndjerit pse e bëri këtë vrasje.

Në gjykimin e Fidan Makollit të akuzuarit për vrasjen e Fadil Makollit, gruaja e të ndjerit Arzije Makolli tregoi për jetën e vështirë që po bën pas vrasjes së burrit.

Ajo me dhimbje të thellë e pyeti të akuzuarin se pse ia vrau bashkëshortin.

“Du me ditë për çfarë arsye e ka vra dhe tre fmi të vogël mi ka lonë, kredi kam, nuk po muj me i mbulu krejt. Tmerr për neve, nuk di me përshkru. Djali mo veç me trauma don me u bo për shkak të mungesës së prindit, sepse ka qenë shumë i lidhur me të”, theksoi bashkëshortja e të ndjerit.

Reagime pati edhe avokati i së dëmtuarës, Betim Shala, i cili theksoi se kjo vepër duhej cilësuar si vrasje e rëndë, e jo vetëm si vrasje.

“Nga provat materiale në shkresat e lëndës vërtetohet dhe rezulton se këtu kemi të bëjmë me vrasje të rëndë. Dorasi dhe viktima janë familjarë dhe vetë mënyra e kryerjes së kësaj vepre penale ka qenë e kryer në mënyrë mizore. Më çudit fakti qysh kjo prokurori nuk e ka akuzuar edhe për armëmbajtje pa leje”, tha Shala.

Fidan Makolli akuzohet për vrasjen e djalit të axhës, tani të ndjerit Fadil Makolli, për shkak të parkimit të automjetit afër furrës “Sharri”.

I akuzuari Fidan Makolli ka pranuar para trupit gjykues vrasjen për të cilën po akuzohet.

Besnik Jakupi, avokati mbrojtës i të akuzuarit Fidan Makolli, kërkoi nga gjykata që të e marrë si rrethanë lehtësuese pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

“Me rastin e përcaktimit të llojit të dënimit, gjykatës i propozoj që t’i marrë për bazë rrethanat lehtësuese, fillimisht pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe atë qysh nga koha kur është kryer kjo vepër penale e deri më tani, pendimin e thellë, kërkimfalje e vazhdueshme si dhe rrethanat e tjera të cilat gjykata konsideron se do të shkojnë në favorin e të mbrojturit tim”, tha Jakupi.

Sipas aktakuzës, më 24 qershor 2016, i ndjeri Fadil Makolli ka parkuar veturën afër furrës “Sharri”, me ç’rast i akuzuari Fidan Makolli ka dalë nga shtëpia dhe i ka thënë tani të ndjerit të mos e parkojë veturën në atë vend.

Pas një konflikti verbal në mes të djemve të axhës, i akuzuari Fidan Makolli ka shtënë në drejtim të Fadil Makollit, duke e plagosur në regjionin e abdomenit-nënbrinjor të djathtë.

Si pasojë e plagëve të marra, Fadil Makolli ka vdekur më 29 korrik 2016.

Më 20 mars në ora 9:00 do të bëhet shpallja e aktgjykimit të këtij rasti nga kryetarja e trupit gjykues Shadije Gërguri.

Dje kallxo shkroi për dënimin e Driton Gashit me 18 vjet burg për vrasje të rëndë. Erdhe Gashi kishte vrarë djalin e axhës së tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat