250 fëmijë inkurajohen për një botë më të lumtur

Kosova

250 fëmijë inkurajohen për një botë më të lumtur

Më: 19 mars 2017 Në ora: 14:24
Femijet

Rreth 280 fëmijë nga anët e ndryshme të Kosovës ishin pjesë e organizimit ku personazhet e famshme të filmit “Smurfs”, po i inkurajojnë që ta bëjnë botën një vend më të lumtur, më paqësor, më të barabartë e më të shëndetshëm.

Këtij organizimi iu bashkëngjiten edhe fëmijët pa përkujdesje prindërore nga SOS Fshati i Fëmijëve, fëmijët me aftësi të kufizuara nga Qendrat Burimore Rajonale te Kosovës, fëmijët nga Fushë Kosova e Plemetina te komunitetit rom, ashkali dhe egjiptiane dhe të tjerë.

Në këtë aktivitet fëmijët patën mundësi të vizatojnë dhe ngjyrosin personazhet e filmit “Smurfs” me ndihmën e aktorëve kosovarë, Ilire Vinca, Eliza Hoxha, Donat Qosja, Fatmir Spahiu, Doresa Rexha, Fatos Kryeziu, Ana Rrustemi, Teuta Kurti e të tjerë.

Andrra Bajraktari, e cila kishte ardhur për të shikuar filmin, tha se po i pëlqente shumë ideja dhe se të gjithë fëmijët në këtë organizim janë të barabartë.

Bajraktari: Jemi të gjithë të barabartë

“Mua po më pëlqen shumë, po më pëlqen që bluzat i kena krejt njëjtë që jemi të gjithë të barabartë”, tha ajo.

Edhe Lion Shala, i cili kishte ardhur së bashku me shokët dhe shoqet e klasës, tha se po kënaqej shumë.

Shala: Unë po kaloj shumë mirë edhe po kënaqna

“Unë po kaloj shumë mirë edhe po knaqna” tha ai.

Ndërsa, shefi i zyrës së UNICED-it në Kosovë, Brandao Co, tha se kjo organizatë beson që investimi në të rinjtë dhe fëmijë është investimi më i mirë për zhvillim dhe prosperitet për Kosovën.

Co: investimi në të rinjtë dhe fëmijë është investimi më i mirë

“Ne e organizojmë këtë ngjarje e cila është duke ndodhur edhe në nivelin global dhe përveç kësaj është duke u organizuar edhe në Kosovë. Ne si UNICEF besojmë se investimi në të rinjtë dhe fëmijë është investimi më i mirë për zhvillimin dhe prosperitetin e këtij vendi dhe jemi  këtu së bashku me fëmijët, është një organizim në partneritet me CINEPLEX të cilët kanë mundësuar edhe  përcjelljen e premierës falas”, tha ai.

Ai shtoi se duhet t’i vendosim fëmijët përpara agjendës në mënyrë që të procedojmë më tutje.

Kurse, aktorja Ilire Vinca, e cila ishte ulur së bashku me fëmijët dhe po luanin lojëra të ndryshme, tha se kjo është një prej gjërave më të bukura që për të është dhuratë e jetës.

Vinca: Gjithmonë do të jem prezentë në organizime të tilla

“Kjo është një prej gjërave më të bukura që është si dhuratë e jetës, ku në një ambient, në këtë rruzullin tonë tokësorë të bëhemi bashkë përtej racës, përtej rangjeve klasore kush është i pasur dhe i varfër, dashuria gjithmonë triumfon, kujdesi ndaj fëmijëve. Çdo fëmijë është një bimë dhe çdo fëmijë ka nevojë për diell dhe ujë, porsi bima që është dashuria dhe arsimimi për t’i trajtuar të barabartë gjithçka. Tash sapo e luajta një lojë me fëmijët që i kam afër dhe krejt e patëm të njëjtën lojë dhe të njëjtën fjalë dhe gjithçka shkoi si është më së miri. E vlerësoj shumë dhe gjithmonë do të jem prezente aty ku do të jenë organizime të tilla”, tha ajo.

Ndërsa, aktori Fatos Kryeziu, tha se organizime të tilla duhet të bëhen çdo muaj, pasi që një herë në vit është shumë pak.

Kryeziu: Ky organizim duhet të bëhet çdo muaj

“Tash këtu më nuk ka rëndësi fytyra publike, meqë edhe në jetë kemi fëmijë edhe ne, prandaj, një pjesë goxha të madhe të jetës e kaloj edhe më fëmijët tanë në shtëpi. Prandaj, kënaqësi double e veçantë është me ia kushtua një orë, dy gjithë këtyre fëmijëve edhe t’u e ditë me faktin që ky event është në të gjithë botën, është tri herë kënaqësi, do të thotë unë edhe rastësisht e pata mesazhin me dhanë për fëmijët që të mos ketë dhunë e këto gjëra që janë të këqija për fëmijët... Ndoshta është pak çdo vjet, ndoshta duhet me bë çdo muaj”, tha ai.

Aktori Fatmir Spahiu i cili në këtë aktivitet kishte ardhur së bashku me djalin e tij, tha se nuk ngurron asnjëherë të marrë pjesë në aktivitete të tilla kur në pyetje është e mira e përgjithshme.

Spahiu: Këto organizime janë në të mirë të përgjithshme

“Ne jo vetëm në  këtë organizim të UNICEF-it, por edhe në organizime të tjera qofshin me iniciativë lokale apo më të mëdha nuk ngurojmë me marrë pjesë, sidomos ato të cilat janë në një të mirë më të përgjithshme, është kënaqësi”, tha ai.

Fushata “Smurfsa të Vegjël, Synime të Mëdha” është dizajnuar me qëllimin që t’i inkurajojë të gjithë që të mësojnë më shumë dhe t’i përkrahin 17 qëllimet për zhvillim të qëndrueshëm, të cilat u miratuan nga të gjitha 193 shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara në vitin 2015.

Ky eveniment organizohet nga UNICEF-i dhe Fondacioni i Kombeve të Bashkuara, në një bashkëpunim të nivelit global me Sony Production.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat