Shënohet Dita Ndërkombëtare e vajzave në TIK

Kosova

Shënohet Dita Ndërkombëtare e vajzave në TIK

Më: 28 prill 2017 Në ora: 13:13
Konferenca e vajzave në TIK

Universiteti Amerikan në Kosovë ka organizuar për herë të tretë me rradhë edicionin e kësaj konference, si dhe ka përgatitur punëtoritë dhe panairin e punës për nder të kësaj dite.

Aty ishin prezentë më shumë se 10-të kompani të fushës së Teknologjisë, kompani të cilat kishin së paku nga dy vende të lira të punës me ç’rast vajzat patën mundësi që ta shfrytëzojnë këtë event si mundësi për t’u lidhur me kompani të ndryshme.

Meqenëse fusha e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit është një ndër sektorët më të zhvilluar në botë, edhe në Kosovë po i kushtohet vëmendje e madhe kësaj lëmie.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenar për zhvillimet që janë arritur të bëhen në fushën e teknologjisë dhe informacionit pa përkrahje institucionale. Ai theksoi se sektori i teknologjisë së informacionit është sektori që po dominon në çdo shtëpi dhe se kjo është arritur falë iniciativave private.

Veseli gjithashtu tha se institucionet e Kosovës duhet të fokusohet në përkrahje më të madhe për pjesën kreative të programeve të këtij sektori.

Veseli: Të shumëfishohen investimet në sektorin e TIK-ut

“ICT në Republikën e Kosovës duhet të shndërrohet në një strategji nacionale për vet faktin se është një nga sektorët ku mund të ketë të arritura me pak investime. Kthimi në investim mund të jetë shumë i madh...Ne duhet të lëvizim fuqishëm për arsye se bota rreth nesh po lëviz më fuqishëm se ne, ne duhet të jemi më konkurrentë me të”,  tha ai.

Colleen Hyland, zëvendës shefe e Misionit në Ambasadën Amerikane, tha se vajzat shumë shpesh janë të shkyçura larg nga matematika dhe inxhinieria dhe kjo po ndodhë jo për shkak të dëshirë apo qëndrimit të tyre, por thjeshtë për shkak të gjinisë së tyre.

Hyland tregoi se këtë vit Kosova do të dërgojë për herë të parë në SHBA dy përfaqësuese në programin “Global women’s Mentoring Program”.

Hyland: Kosova për herë të parë dërgon dy përfaqësuese për mentorimin e grave në SHBA

“Sot është e rëndësishme që të iu tregojmë vajzave anë e mbanë Kosovës dhe botës që çdo rrugë është e hapur për to dhe se asgjë nuk është e paarritshme. Këtë vit për herë të parë, Kosova do të dërgojë dy përfaqësuese në Shtetet e Bashkuara në Programin global të mentorimit të grave (Global women’s Mentoring Program), dërgimi i së cilave do të financohet nga Fortune Magazine dhe Departamenti Shtetëror”, tha Hyland.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tregoi se pak ditë më parë kanë pasur edhe një konferencë me gratë ku çdo dy prej pesë pjesëmarrësve ishte pjesë e TIK-ut.

Ai shtoi se në analizat dhe studimet e ndryshme që bëhen, shohin që ky sektor është sektori më premtues jo vetëm i ekonomisë së Kosovës por në përgjithësi i transformimeve dixhitale që po ndodhin gjithandej botës.

Sipas tij, hendeku që ekziston në mes të kërkesës dhe shkathtësive dixhitale do të ndikojë që deri në vitin 2020-të, të jenë diku të lira deri në 1 milionë vende të reja të punës.

Ai tregoi se është dëshmuar që pjesëmarrja e grave në fushën e TIK-ut, ndikon në rritjen ekonomike.

Përkrahëse e iniciativës për vajzat në TIK ishte edhe zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj Gashi, e cila u shpreh se vajzave iu nevojitet përkrahje për të rritur edhe vetëbesimin se edhe ato mund të jenë po aq të suksesshme në fushën e tekonologjisë.

Ajo tregoi se nëpërmjet programit “ËOË”  të cilin e ka mundësuar Ministria e Zhvillimit Eknomik, tashmë kanë diplomuar mbi 150 me ç’rast shumica prej  tyre kanë arritur të kenë kontratë pune.

Gashi: 80 përqind e vajzave të diplomuara nga “WOW” me kontrata pune

“Kemi arritur që prej 150 vajzave përfituese të projektit dhe të diplomuara, mbi 80 përqind e tyre të kenë së paku një kontratë pune. Kemi vajza që kanë arritur të kenë 35 kontrata pune në 35 vende të botës, në tri kontinente, mbi 300 kontrata pune deri më tani nga 80 femra. Shumica e kontratave të punës janë zhvillim i web faqeve, hulumtime në web, marketing digjital, futje e të dhënave, përkthime, shkrime e të tjera”, tha ajo.

Gashi u shpreh e lumtur për faktin që kjo nismë ka rezultuar me një numër të theksuar vajzash  që ato kanë arritur të jenë model për shumë vajza dhe gra të tjera të Kosovës, duke thyer stereotipet se fusha e teknologjisë është më shumë për gjininë tjetër.

Vllaznim Xhiha, anëtar i bordit në RIT tha se ICK qarkon shumë fusha në kuadër të shkencave informatike-kompjuterike. Sipas tij, është pothuajse e pamundur të gjendet një fushë ku këto shkenca nuk gjejnë zbatim. Ai u shpreh se ky event bëhet për gjininë femërore dhe se barazia gjinore është shumë e jashtëzakonshme për shëndetin e një shoqërie më të mirë në botë.

Ndryshe, Iniciativa e Femrave në TIK është një përpjekje me karakter global që synon të ndërgjegjësojë dhe inkurajojë femrat e reja për të ndjekur studimet në fushat e teknologjisë së informacionit, ndërkaq, kjo ditë manifestohet çdo vit në të enjten e fundit të prillit në 140 shtete të botës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat