KFOR-i italian dhuron donacion për SHSKUK në vlerë 70 mijë euro

Kosova

KFOR-i italian dhuron donacion për SHSKUK në vlerë 70 mijë euro

Më: 12 maj 2017 Në ora: 12:48
KFOR-i italian

Barnatorja Qendrore e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, përkatësisht e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, ka pranuar donacionin e tretë të radhës nga grupi shumëkombësh perëndim (MNBG-W)/kontingjenti italian, barin Ibuprofen Plv (Buscofen) në sasi prej 77000 njësi i dedikuar Klinikave të QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme në Gjakovë, Gjilan, Prizren, Pejë, Ferizaj e Mitrovicë.

Donacioni është ofruar nga Organizata joqeveritare humanitare “Perigieo onlus” nga Macerata e Italisë, përmes zyrtarëve të lartë të KFOR-it italian.

Drejtori i përgjithshëm i SHSKUK-së, Curr Gjocaj, falënderoi organizatën italiane dhe kontingjentin italian të KFOR-it për donacionin e dhënë. Sipas tij, ky është shembulli më i mirë i bashkëpunimit  civilo-ushtarak.

Kolonel Stefano Imperia, komandanti i Komandës së Grupit shumëkombësh të betejës-Perëndim (MNBG-W) dhe komandant i Kontingjentit italian të KFOR-it në Kosovë,  tha se është kënaqësi me qenë në këtë ceremoni.  

“Ky donacion është dhuruar falë shoqatës Perigieo, me të cilin kemi bashkëpunim si Ministri e Mbrojtjes së Italisë. Në këtë rast duhet të falënderojmë edhe aeronautikën ushtarake italiane”, tha ai.

Arijeta Stanovci, shefe e Barnatores Qendrore dhe koordinatore për çështje Farmaceutike në SHSKUK, tha se vlen të theksohet në veçanti miqësia dhe dashuria e shprehur anekënd botës e popullit italian për Kosovën dhe popullin tonë.   

“Lidhjet e ngushta, të përzemërta dhe shumë miqësore mes popullit italian dhe popullit tonë janë dëshmuar me veprat dhe angazhimin e palodhshëm  të këtij vendi në çështjen e zgjidhjes së situatave më të vështira për Kosovën”, u shpreh  Stanovci.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat